Kurban Bajrami, festë e solidaritetit, mirëqenies dhe pajtimit
- Myslimanët sot në Maqedoni dhe mbarë botën festojnë festën e Kurban Bajramit, festë më e rëndësishme në kalendarin islamik pas Bajramit të Ramazanit (Fitër Bajramit).
- Post By Fami Bajrami
- 12:54, 6 qershor, 2025
Shkup, 6 qershor 2025 (MIA)- Myslimanët sot në Maqedoni dhe mbarë botën festojnë festën e Kurban Bajramit, festë më e rëndësishme në kalendarin islamik pas Bajramit të Ramazanit (Fitër Bajramit).
Për të përkujtuar këtë festë, myslimanët therin kurban të cilin e ndajnë midis familjes, miqve dhe atyre më kushte më të vështira.
Kësisoj, kurbani në fenë islame ekziston në të gjitha fetë si shprehje adhurimi. Këtë e vërteton edhe vetë shprehja në Kuran ku thuhet: "Ne i kemi caktuar çdo populli therjen (e kurbanit) që ta përmendin emrin e Zotit për arsye se i furnizoi ata me kafshët. Zoti juaj është një, andaj vetëm atij dorëzojuni e përgëzo të dëgjueshmit". Njihet edhe si Bajram i haxhinjve, sepse brenda ditëve të kësaj feste kryhet edhe pelegrinazhi ritual në Mekë.
Bindja ndaj urdhrit të Zotit- profeti sakrifikon djalin e tij
Kjo njëherësh shënon sprovën me të cilën u përball profeti Ibrahim kur iu tha të flijonte djalin e tij Ismailin. Sipas mësimit islam, Zoti e zëvendësoi Ismailin me një dele (kafshë) para se të ndodhte ngjarja.

Definicioni i kurbanit në legjislaturën fetare është: emërtim i përgjithshëm për kafshët (deve, lopë ose dhen) që theren në ditën e Bajramit dhe në tre ditët më pas si vepër e afrimit tek Zoti. Kafsha e cila është për kurban duhet të jetë në moshë të caktuar, duhet të jetë e shëndoshë dhe me gjitha pjesët e trupit. Argument për obligimin e kurbanit siç shpjegojnë hoxhallarët gjendet edhe në rregullin kuranor ku Allahu thotë: “Andaj t’i falu dhe prej kurban për hir të Zotit tënd!” Sipas fesë Islame, therja e Kurbanit është një tregues i madh se njeriu është i gatshëm për të sakrifikuar për fenë e Allahut dhe bindjes së tij ndaj Krijuesit. Fjala më e mirë është fjala e Allahut i cili në Kuran thotë: "Tek Zoti nuk arrin as mishi as gjaku i tyre, por tek ai arrin devotshmëria juaj. Ai ua ka nënshtruar atë juve, që ta madhëroni Zotin në udhëzimin që ju ka dhënë. Ndani lajmin e mirë me ata që bëjnë mirë."
"Besimtarët janë vëllezër"
Haxhi është adhurim në të cilin njeriu e njeh vendin e vet në botën universale - në Arafat, aty ku njeriu i parë e njohu vendin e vet në Tokë. Kjo është rruga tokësore e njeriut i cili në dëshminë personale të besimit (fesë) e gjen kuptimin universal të jetës dhe në porosinë hyjnore të Kuranit e gjen shpresën në shpëtimin personal.
Prandaj, porosia e dytë e Kurban Bajramit është Haxhi dhe ne përsëri jemi në ditët e tij. Miliona njerëz nga vendet më të ndryshme të botës, me mund e sakrifica të mëdha nisin në udhëtimin më të gjatë i cili shpie në takim me Zotin, historinë dhe njeriun.
Haxhi madje është manifestimi i unitetit, harmonisë dhe vëllazërisë së vërtetë islame. Sipas dispozitave fetare të gjithë haxhinjtë gjatë kohës së bërjes së haxhit, kanë të njëjtën uniformë dhe që të gjithë pavarësisht nga profesioni, pozita e klasa, kanë të drejta të barabarta për të hyrë në faltoren e Zotit.

Titujt e nderit dhe të famës së kësaj bote aty nuk merren parasysh, jo më t'u jepet prioritet, para dyerve të mëshirës se Zotit të gjithë janë të barabartë. Aty në mënyrë të veçantë manifestohen fjalët kuranore: "Besimtarët janë vëllezër". Përveç se Bajrami është simbol i gëzimit, ai është edhe simbol i besnikërisë praktike ndaj islamit të shprehur përmes sakrificës dhe flijimit në rrugën e Zotit, të shprehur përmes ngadhënjimit të egoizmit dhe vetiakizmit, fitores mbi shejtanin në rrugën e ngritjes shpirtërore drejt mëshirës së Zotit.
Rëndësia e festës jo vetëm si obligim fetar
"Kush nuk kujdeset (nuk tregon interes) për myslimanët, ai nuk u përket atyre", thotë profeti Muhamed duke na i caktuar rrethet e atij solidariteti. Së këtejmi rrjedh rëndësia e madhe e Kurban Bajramit i cili është jo vetëm një obligim fetar, por shumë më tepër - një komponent thelbësor i kulturës sonë të përgjithshme dhe një tregues i fortë i identitetit tonë.

Madje, Islami i kushton rëndësi të madhe pastërtisë individuale, kolektive, por edhe pastërtisë shpirtërore etj., nisur nga kjo, dikur por edhe sot është detyrë parësore e familjeve myslimane pastrimi i shtëpisë i dekorit shtëpiak etj. Ditët e fundit para Bajramit tërë familja janë në shërbim të pastrimit të shtëpisë, brenda dhe jashtë që ditët e Bajramit të duken sa më të këndshme. Në ditët e Kurban Bajramit me kthimin e njerëzve nga xhamia në shtëpi, fillojnë përgatitjet për therjen e Kurbanit. Pasi të mbarojnë me therjen e kurbanit, mishi i tij ndahet në tre pjesë të barabarta. Një pjesë u jepet të varfërve, pjesa tjetër u jepet fqinjëve, farefisit dhe miqve, ndërsa një pjesë i mbetet kryefamiljarit dhe anëtarëve të tij. Fëmijët shpërndajnë mishin e kurbanit me qëllim që të gjithë ata të cilëve u ndahet kurbani të kenë mundësi me kohë të përgatisin vaktin e Bajramit. Ajo që është e njohur është se gjatë Bajramit myslimanët duhet të vishen mirë, me rrobat më të mira që kanë. Edhe profetët si Muhamedi dhe tjerë janë veshur bukur. Veshmbathja nuk vlen vetëm për ata që shkojnë në xhami por për të gjithë. Edhe ambienti në shtëpi, oborr e rrugë duhet të dallohet nga ditët tjera, si shenjë e Bajramit dhe edukatës myslimane.
“Sofra” e Bajramit dhe pajtimi mes njerëzve
Bajrami festohet me më të afërmit. Sofra e Bajramit, përkatësisht dreka e Bajramit është pjesë përbërëse e shënimit të kësaj feste. Çdo gjë përgatitet në mënyrë të veçantë: mbulesa e sofrës (tavolinës), enët, gjellëra me bollëk. Sigurisht përbërësi kryesor që zë vend në tavolinën e festës së Kurban Bajramit është mishi i therur për këtë festë.

Përveç ushqimeve të shumëllojshme, vend të rëndësishëm zënë ëmbëlsirat më të preferuara e që janë sigurisht ato tipike turke si bakllavaja, por sigurisht mund ta kaloni edhe me ndonjë tortë të blerë apo ëmbëlsirën që preferoni. Madje, ditën e parë të Bajramit zakonisht vizitohet familja e ngushtë dhe e gjerë, e më vonë edhe fqinjët, miqësia, kolegët etj.
Një mysliman që orvatet të pajtojë ndërmjet njerëzve për ditën e Bajramit, shtyn shlyerjen e borxhit që njerëzit mund të kanë ndaj tij, jep rrogën në kohë punëtorëve të tij dhe dhuratë të Bajramit, ndan mishin e kurbanit dhe ushqim nevojtarëve dhe të varfërve që edhe ata të mund të përgatiten për bajramin, është njeri që përçon gëzimin e bajramit te tjerët.
Të shumta janë fjalët e shkruara për urtësinë e kësaj sakrifice nëpër literaturën e bujshme, shumëshekullore islame ku tregohet se përveç asaj se si çdo adhurim edhe kurbani është afrim për tek Allahu në të ka edhe shtim të bereqetit në sofrën e Bajramit.
Fami Bajrami
Foto: arkivi i MIA-s