• e hënë, 23 dhjetor 2024

Bekteshi: Ne i marrim vendimet për qytetarët, jo për interesat personale të anëtarëve të caktuar të odave

Bekteshi: Ne i marrim vendimet për qytetarët, jo për interesat personale të anëtarëve të caktuar të odave

Shkup, 21 shtator 2023 (MIA) - Ne nuk marrim vendime për interesa personale të disa anëtarëve në Odën Ekonomike, ne marrim vendime për qytetarët dhe për një sektor të caktuar, duke i përfshirë tregtinë ose industrinë e përpunuar, të gjitha vendimet janë marrë me diskutime  dhe në konsultim me odat, mbi 90 për qind janë propozime që dalin nga odat ekonomike, si në pjesën e listës së prodhimeve  ashtu edhe në pjesën e vendimeve tjera.

Këtë sot e theksoi ministri i Ekonomiksë kreshnik Bekteshi lidhur me reagimet e djeshme të tre odave ekonomike më të mëdha në vend pas vendimeve më të reja qeveritare të cilat, sipas biznesit, e nxisin ekonominë gri dhe janë të dëmshme për zhvillimin e kompanive.

Sipas Bekteshit, Oda Ekonomike e cila paralajmëroi se do ta kundërshtojë para Gjykatës Kushtetuese Ligjin për tatimin e solidaritetit, duhet ta bëjë këtë, ndërsa përveç në Gjykatën Kushtetuese, duhet të shkojë, porositi, edhe në institucionet tjera kompetente.

Ministri sheh edhe një tendencë në disa media që të përcjellin mendimet e individëve nga Oda Ekonomike, në vend që, siç theksoi, të përcjellë qëndrimin e Odës Ekonomike në tërësi.

"Ne diskutojmë, debatojmë, por sipas diskutimeve që dalin nga të gjithë aktorët, ne i sjellim vendimet, jo vetëm për interesin personal të një anëtari të caktuar të Odës Ekonomike që mund të ketë edhe përfitim personal nga marrja e vendimeve të caktuara. Nëse mbajmë mend mirë dhe nuk kanë kaluar as dy javë, odat janë përfshirë në negociata, duke filluar nga prodhuesit e ushqimeve e deri te supermarketet. Në përgjithësi, lirisht mund të them se më shumë se 90 për qind janë propozime që dalin nga odat ekonomike, si në pjesën e listës së produkteve ashtu edhe në pjesën e vendimeve të tjera. Natyrisht, ne kemi biseduar me drejtorët ekzekutivë dhe menaxherët brenda odave, jo me çdo anëtar të Odës Ekonomike. Unë shoh një tendencë nga disa shtëpi mediatike që të marrin përsipër dhe të japin në atë mënyrë mendime dhe propozime të caktuara nga anëtarët e Odës Ekonomike dhe jo qëndrimin e Odës Ekonomike në tërësi. Ne jemi të obliguar si zyrtarë, por edhe si Qeveri në tërësi të rrisim bashkëpunimin me të gjitha odat ekonomike. Sa i përket pikëpamjeve të ndryshme, është mirë edhe për demokracinë, sepse kur ka pikëpamje të ndryshme, atëherë ka më shumë ide, debate, më shumë argumente, fakte. Vendimin përfundimtar sipas obligimeve dhe përgjegjësive e marrin institucionet përgjegjëse për atë punë, përkatësisht Qeveria dhe Ministria e Ekonomisë dhe ato vendime janë të detyrueshme", theksoi Bekteshi, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas vizitës në qendrën logjistike të marketit "KAM" .

Lidhur me tatimin  e solidaritetit, ministri është i vendosur se nëse Ligji kundërshtohet, Qeveria është e obliguar ta respektojë atë.

"Shkëlqyeshëm. Ata duhet të drejtohen në Gjykatën Kushtetuese dhe në institucionet tjera kompetente. Prandaj jemi shtet dhe i kemi ndërtuar këto institucione. Edhe instanca më e lartë, si Gjykata Administrative ose institucione tjera kompetente, nëse sjell vendim të kundërshtuar në atë që e miratuan deputetët, sigurisht që ne kemi detyrim ta respektojmë.  Por ne besojmë se zgjidhja ligjore e propozuar nga Qeveria dhe e miratuar nga shumica parlamentare, është në përputhje me dispozitat ligjore në shtet", tha Bekteshi. sa/

foto: MIA

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR