• e premte, 22 nëntor 2024

BE përshëndet vendimin e Qeverisë së Kosovës për lejimin e hyrjes së mallrave serbe përmes vendkalimit Merdare

BE përshëndet vendimin e Qeverisë së Kosovës për lejimin e hyrjes së mallrave serbe përmes vendkalimit Merdare

Prishtinë, 8 tetor 2024 (MIA) - Bashkimi Evropian mirëpret vendimin e djeshëm të Qeverisë së Kosovës për heqjen e kufizimeve, duke lejuar futjen e mallrave nga Serbia nëpërmjet pikës kufitare Merdare, njoftoi korrespodenti i MIA-s nga Prishtina.

Zyra e BE-së në Kosovë përmes një kumtese për media kumtoi se tregtia e lirë është çelësi i funksionimit të Tregut të përbashkët rajonal dhe është "pjesë integrale e Planit të rritjes".

“Mirëpresim heqjen e kufizimeve për hyrjen e produkteve të gatshme serbe në Kosovë përmes Merdares. Tregtia e lirë e mallrave në të gjithë Ballkanin Perëndimor, në përputhje me rregullat e CEFTA-s, është çelësi për funksionimin e Tregut të përbashkët rajonal i cili është pjesë integrale e Planit të rritjes. Për të mirën e njerëzve dhe të bizneseve”, thuhet në kumtesë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dje informoi se kufizimi për hyrjen e mallrave prej Serbisë është hequr në pikën kufitare në Merdare. Ndërkohë, për pikat tjera tha se janë në pritje të skanerëve të cilat do të shërbejnë për kontrolle më të rrepta të mallrave serbe që hyjnë në Kosovë.

Ai tha se kjo masë është e mjaftueshme që Kosova të jetë e suksesshme në CEFTA dhe në samitin e Procesit të Berlinit javën e ardhshme.

Ambasadori gjerman, Jorn Rode dje deklaroi se do t’i japin mbështetje Qeverisë për të garantuar plotësimin e kërkesave rreth shqetësimeve të sigurisë. Të njejtin qëndrim si dhe kolegu i tij gjerman e theksoi dhe ambasadori francez Olivie Gero.

Kosova ka ndaluar importet nga Serbia pas arrestimit të tre policëve të Kosovës nga ana e forcave serbe në kufirin midis dy vendeve, tensioneve në veri të vendit me shumicë serbe dhe dyshimeve se vitin e kaluar armët ishin kontrabanduar ilegalisht përmes mallrave.

Gjermania së fundi, përmes të dërguarit të posaçëm të saj për Ballkanin Perëndimor, Manuel Saracin e kërcënoi Kosovën me mospjesëmarrje në samitin e procesit të Berlinit, që do të mbahet më 14 tetor, përderisa nuk e heq ndalimin e importit të mallrave nga Serbia, ndërsa paralajmëroi se ky ndalim bllokon edhe punën e CEFTA-s. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR