Në Tiranë marsh protestues pas vrasjes së nxënësit 14-vjeçar, është kërkuar dorëheqje e ministres së arsimit
- – Në Tiranë sot u mbajt marsh protestues dy orësh për vrasjen e 14-vjeçarit, e cila e goditi të gjithë shoqërinë shqiptare.
- Post By Fitore Curri
- 15:24, 21 nëntor, 2024
Tiranë, 21 nëntor 2024 (MIA) – Në Tiranë sot u mbajt marsh protestues dy orësh për vrasjen e 14-vjeçarit, e cila e goditi të gjithë shoqërinë shqiptare.
Nxënës, prindër dhe qytetarë të tjerë mbanin pankarta, ku në njërin shkruhej “institucionet e papërgjegjshme vrasin”. Në përfundim të marshit protestues, në muret e Ministrisë së Arsimit u lanë gjurmët e duarve me ngjyrë të kuqe që simbolizon gjakun.
“Mesazhi kryesor i prindërve dhe pjesëmarrësve në protestë ishte dorëheqja e ministres së Arsimit, Ogerta Manastriliu të cilën e konsiderojnë përgjegjëse për ngjarjen e rëndë dhe situatën e arsimit. Prindërit i kanë lënë një afat deri në fundjavë ministres për të dhënë dorëheqjen në të kundërt javën e ardhshme kanë paralajmëruar tjetër protestë”, njoftoi A2 CCN.
Disa nga prindërit në prononcime për mediat akuzuan se autoritetet nuk kanë plan-masa edhe pas ngjarjes tragjike, se në shkolla ka mungesë të psikologëve dhe se janë shumë të shqetësuar, pasi mendojnë se fëmijët e tyre janë të pasigurt.
“Jemi shumë të tronditur. Jam nënë. Është një dhimbje shumë e madhe. ngushëllime familje. Duhet të merren masa dhe duhet të bëhet shembull. Jam pa fjalë, e tronditur, nuk flemë gjumë. Menduam gjithë të këqijat”, tha ajo për A2 CNN.
Sipas televizionit kjo është protesta e parë, në të cilën pjesëmarrësit, nuk kërkojnë më shumë cilësi në arsim, por siguri më të madhe për fëmijët.
Ngjarja tragjike ndodhi pasditen e së hënës, pranë shkollës nëntëvjeçare “Fan Noli” në Tiranë, kur 14-vjeçari Martin Cani, një futbollist i ri premtues, mbeti i vrarë nga bashkëmoshatari i tij me gjashtë plagë me thikë, një prej tyre në zemër, ndërsa shoku i tij ka mbetur i plagosur në gjoks dhe në bark, dhe ende është në mjekim spitalor.
Pas kësaj ngjarje kryeministri Edi Rama, pas mbledhjes së djeshme të Qeverisë, paralajmëroi se po mendohet për ndalim të plotë të rrjeteve sociale Tik Tok dhe Snepçet. fc/