• e diel, 22 dhjetor 2024

Gjenden përsëri armë dhe pajisje ushtarake në veri të Kosovës

Gjenden përsëri armë dhe pajisje ushtarake në veri të Kosovës

Prishtinë, 21 nëntor 2024 (MIA)- Policia e Kosovës kumtoi se sot sërish ka zbuluar armë ilegale, municion dhe pajisje ushtarake në zonën e veriut të Kosovës të banuar me shumicë serbe, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në komunikatën e policisë thuhet se pajisjet ilegale ushtarake kësaj radhe janë zbuluar në një objekti banesor në veri të Mitrovicës.

"Me datën 21.11.2024, pas pranimit të një informate mbi dyshimet për armë dhe municion, njësitet policore kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme ku kanë kryer një kontroll në rrugën ‘Kralj Petri’ në Veri të Mitrovicës. Gjatë kontrollimit nën një kulm të një ndërtese janë gjetur armë, municion dhe pajisje të ndryshme", thuhet në kumtesë.

Deri në këtë fazë të hetimeve janë kryer disa intervistime të personave në këtë ndërtesë ku të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Policia e Kosovës në lidhje me disa raste të zbulimit të armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake ilegale në veri të Kosovës së fundmi, pretendon se pajisjet e zbuluara me gjasë kanë të bëjnë me sulmin terrorist të një grupi të serbëve më 24 shtator të vitit të kaluar në Banjskë afër Zveçanit ku u vra një pjesëtar i policisë së Kosovës, ndërsa gjatë shkëmbimit të zjarrit që pasoi edhe tre nga sulmuesit.

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR