• e hënë, 20 maj 2024

BBC: Një tërmet politik për një kthim në të kaluarën ose një shpresë të re

BBC: Një tërmet politik për një kthim në të kaluarën ose një shpresë të re

9 maj 2024

Votuesit në Maqedoninë e Veriut ndryshuan pamjen politike të vendit të tyre në vetëm një ditë dhe partia që u përmbys shtatë vjet më parë nën presionin e protestave në rrugë po kthehet në pushtet.

Gordana Siljanovska Davkova, kandidatja e opozitës VMRO-DPMNE, në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale sfidoi presidentin aktual Stevo Pendarovski, i cili u përkrah nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM).

VMRO-DPMNE ka festuar bindshëm edhe në zgjedhjet parlamentare, duke fituar 43 për qind të votave, ndërsa LSDM ka arritur rezultatin më të keq në histori me 15 për qind.

“A ka ndryshim më të madh se sa një grua të bëhet presidente për herë të parë, a ka një frymëzim më të madh? Nuk ka”, tha Siljanovska Davkova në fjalimin e saj të parë.

Ajo shtoi se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve dhe se “dera e saj është e hapur për të gjithë”.

Fituesit morën urime nga rivalët e tyre, por edhe paralajmërime.

“Shumë qytetarë ndjejnë frikë nga ky rezultat sepse pushteti i madh përfundoi në duart e një partie të njohur për keqpërdorim të pushtetit”, kujtoi kryeministri i mëparshëm Dimitar Kovaçevski periudhën e qeverisjes së VMRO-DPMNE-së kur ajo drejtohej nga Nikolla Gruevski, i cili aktualisht ndodhet në arrati në Hungari.

Tërmeti politik nuk ka anashkaluar as partitë shqiptare, të cilat u grumbulluan për herë të parë në këto zgjedhje në dy koalicione të forta dhe rezultati i të cilave ishte thuajse i barabartë.

Koalicioni rreth Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), i cili është në pushtet në Maqedoninë e Veriut për gati 20 vjet në një koalicion me dy partitë kryesore maqedonase, mori mbështetjen e 14 për qind të votuesve, ndërsa grupi i sapoformuar Vlen fitoi 11 për qind të votave.

"Koalicioni më i mundshëm i VMRO-së dhe Vlen-it do të ketë një shumicë të qëndrueshme për të punuar në luftën kundër korrupsionit dhe integrimin evropian, të cilat janë dy shtyllat e marrëveshjes së tyre," tha analisti politik Xhelal Neziri për BBC-në në serbisht.

“Megjithatë, nuk besoj se diçka do të ndryshojë rrënjësisht kur bëhet fjalë për jetën e njerëzve në Maqedoni, edhe pse mund të ketë disa gjëra të mira”.

Maqedonia e Veriut sot

Ndërsa nata e zgjedhjeve ishte ende e re, rezultati u bë i sigurt dhe para selisë së VMRO-DPMNE-së në Shkup kumbuan brohoritjet, daullet dhe këngët për Maqedoninë.

Në sheshin qendror të qytetit, pavarësisht shiut të dobët, u vendos një skenë në të cilën zyrtarët e partisë dhe më pas mbështetësit kërcenin në një minikoncert.

Në mesin e tyre ishte edhe 27-vjeçari Martin, i cili beson se “në kohën e qeverisjes së LSDM-së nuk ka pasur ndryshime të brendshme”, por ka ndryshuar vetëm emri i shtetit.

LSDM-ja e udhëhequr nga Zoran Zaev erdhi në pushtet në vitin 2017 dhe shpejt arriti një sërë marrëveshjesh të rëndësishme: zgjidhi mosmarrëveshjen e gjatë me Greqinë për emrin, më pas ndryshoi prefiksin "Ish Republika Jugosllave" në Republika e Maqedonisë së Veriut dhe filloi negociatat me BE-në.

Megjithatë, në vend të hyrjes së shpejtë në BE, ajo rrugë sot është e bllokuar nga Bullgaria për shkak të mosmarrëveshjeve mbi gjuhën dhe historinë.

Ndërkohë, vendi u bë anëtar i NATO-s në vitin 2020.

Vitet e fundit, vendi është tronditur nga aferat e korrupsionit, trazirat politike dhe rritja e ngadaltë ekonomike, megjithëse në vitin 2023 paga mesatare arriti në rreth 800 euro.

Ajo renditet në vendin e 78-të nga 150 vende në botë në listën e perceptimeve të korrupsionit për vitin 2023 të publikuar nga OJQ Transparenci Interneshënël, ndërsa raportet e Fridom Haus e përshkruajnë atë si një vend shumë të korruptuar.

Trajko Sllaveski, ish-ministër i Financave nga radhët e VMRO-së, beson se Maqedonia e Veriut do të jetë dukshëm ndryshe në periudhën e ardhshme.

"Mbi të gjitha, ne do të përqendrohemi në rimëkëmbjen e ekonomisë dhe rehabilitimin e institucioneve," tha Sllaveski për BBC-në në serbisht gjatë kremtimit.

Hristijan Mickoski, pasardhësi i Gruevskit në krye të VMRO-DPMNE-së, ka theksuar se ata që kanë bërë korrupsion “do të mbajnë përgjegjësi deri në fund” dhe se “duhet të ketë përgjegjësi të bazuar në drejtësi dhe në ligje”.

“Më kujtohet çdo premtim, do të jap edhe atomin e fundit të forcës për ta përmbushur fjalën dhe për të mos i zhgënjyer njerëzit”, tha Mickoski, i cili shpesh ndërpritej nga brohoritjet e emrit të tij.

Maqedonia e Veriut nesër

Ana Çupevska, profesoreshë e shkencave politike në Fakultetin Juridik në Shkup, beson se gjëja më e rëndësishme është që Maqedonia e Veriut të qëndrojë në rrugën drejt BE-së, edhe pse gjatë fushatës u pa "makineria e propagandës etno-populiste".

Si VMRO ashtu edhe Vlen, thotë ajo, promovuan "pikëpamje shumë radikale".

“Por kur përballen me përgjegjësinë e tyre, faktin që duhet të udhëheqin vendin dhe t'u përgjigjen sfidave që ka populli, për të garantuar sigurinë e vendit, besoj se këto qëndrime do të qetësohen pak”, tha ajo për BBC-në në serbisht.

E pyetur nëse ka mundësi që vendi të kthehet në periudhën para vitit 2016, ajo përgjigjet se do të shihet nga sjellja e fituesve të zgjedhjeve.

“Nëse nuk arrijnë marrëveshje me Vlen, mund të ketë një kthesë autoritare dhe një largim të lehtë nga integrimi evropian, gjë që e kanë përmendur disa herë gjatë fushatës.

“Megjithatë, disa zyrtarë të VMRO-së njoftuan se nevojitet një konsensus kombëtar për çështjet kyçe të reformës, deradikalizimi i retorikës mund të ndihej edhe në natën e zgjedhjeve, kështu që është e mundur që ata të mos arrijnë atë për të cilën folën gjatë fushatës.

Trajko Sllaveski nga VMRO-ja thotë se integrimet euroatlantike kanë qenë rruga e Maqedonisë së Veriut që nga pavarësia, si dhe marrëdhëniet e mira me fqinjët.

“Megjithatë, korrupsioni dhe krimi deri më tani kanë lulëzuar dhe nuk është arritur asnjë rezultat ekonomik”.

“Kur zgjidhja e atyre problemeve përparon, sundimi i ligjit rregullohet dhe ekonomia ecën përpara, kjo nuk do të kalojë pa u vënë re nga partnerët tanë në Bruksel”.

Duke i përkujtur kohën e vështirë të trashëgimisë së Nikolla Gruevskit, Sllaveski pohon se partia ka ndryshuar.

“Partia e shfrytëzoi periudhën në opozitë për të rregulluar radhët e veta, për të pastruar kuadrot me reputacion dhe integritet të dëmtuar.

“Udhëheqja e re e partisë di të mësojë nga gabimet dhe ka kapacitet”.

Analisti Xhelal Neziri beson se tani VMRO-DMPNE-ja, e akuzuar më parë si e afërt me Rusinë, do të kultivojë marrëdhënie partneriteti me Perëndimin.

“Pa reforma, luftë kundër korrupsionit dhe integrime evropiane, VMRO-DPMNE-ja nuk mund të ketë sukses si parti.

Çfarë do të ndodhë me LSDM-në?

Pas humbjes në zgjedhjet presidenciale, Stevo Pendarovski i përgëzoi fituesit dhe u uroi punë të suksesshme.

“Koncepti im për një Maqedoni multietnike, e cila është plotësisht e integruar në BE dhe NATO, fatkeqësisht nuk mori mbështetje, por unë ende besoj se vetëm një Maqedoni e tillë mund të jetë e suksesshme”, tha ai.

Edhe Dimitar Kovaçevski, lideri i LSDM-së dhe kryeministër i mëparshëm, uroi rivalët dhe në një atmosferë të errët në selinë e qetë partiake, rezultatin e vlerësoi si zhgënjyes.

Siç thotë ai, sistemi ka qenë i prishur “si në thellësi ashtu edhe në sipërfaqe”.

“Për shkak të problemeve të pazgjidhura, shumë vetë kanë vendosur të emigrojnë, shumë vetë ndihen të pasigurt, të trajtuar padrejtësisht dhe pa besim në vendin e tyre.

“Korrupsioni ekziston në të gjitha nivelet, interesat personale, integrimi shumë i gjatë evropian, rritja e ulët ekonomike në tre dekadat e fundit, nepotizmi, ndarjet etnike – këto janë vetëm disa nga problemet që po e shkatërrojnë shtetin dhe që duhet të ndryshohen.

Ai pranoi përgjegjësinë për rezultatin historikisht të keq të partisë dhe shpalli zgjedhje për të gjitha pozitat për të konsoliduar partinë pas goditjes së rëndë.

Çupevska thekson se në rënien historike të LSDM-së ndikuan disa faktorë, si tri krizat e mëdha botërore: pandemia Kovid-19, lufta në Ukrainë dhe kriza energjetike.

“Sigurisht që ka edhe vendime kuadrovike dhe politike që kanë qenë gjithashtu problematike”, shprehet ajo.

“Në përpjekje për të mos qenë populistë, ata nuk i paraqitën mirë as sukseset reale që kishin, si anëtarësimin në NATO, rritjen e pagave dhe politikat e mira socialdemokratike gjatë pandemisë.

Foto: Fejsbuk

QËNDRONI TË LIDHUR