• e premte, 30 gusht 2024

Bastisje në Shkup, arrestohet një diler droge, do të konfiskohet pasuri në vlerë mbi 600.000 euro

Bastisje në Shkup, arrestohet një diler droge, do të konfiskohet pasuri në vlerë mbi 600.000 euro

Shkup, 14 janar 2024 (MIA) - Departamenti për Polici Kriminalistike - Sektori për Tregti të Palejuar me Drogë, Armë dhe Materie të Rrezikshme bashkë me SPB Shkup - Njësiti për Tregti të Palejuar me Drogë, NJAS Tigrat dhe Departamenti për Çrrënjosjen e Krimit të Organizuar dhe Serioz, pas urdhërave të prokurorit Publik nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup kanë zbatuar hetim kriminalistik nga shtatori i vitit 2023 deri në janar 2024 për R.K. (45) nga Shkupi, i cili më parë ishte dënuar dhe kishte vuajtur dënimin me burg prej 15 viteve për shitje të drogës. 

Nga MPB sot njoftuan se gjatë hetimit janë siguruar dëshmi materiale dhe është konfirmuar se R.K. ka blerë kokainë, heroinë dhe mariuhanë dhe pastaj i ka paketuar dhe i ka shitur me çmim prej 3.000 denarë për pako kokainë, prej 600 deri 1.000 denarë për pako heroinë dhe 600 denarë për pako mariuhanë. Gjatë hetimit, theksohet në kumtesë, janë siguruar dëshmi se R.K. u ka shitur drogë shumë personave. 

"Më 14.01.2024 në koordinim me NJAS Tigrat në lagjen Gazi Babë në Shkup janë kryer bastisje në tri lokacione. Gjatë bastisjeve janë gjetur kokainë, tri peshore digjitale, etj, ndërsa në objektin afarist janë gjetur 21 kompjuterë me monitorë dhe pajisje për lojëra, pajisje të ndryshme kompjuterike që kushtojnë rreth 120.000 euro, për të cilët ekziston dyshimi se janë blerë nga paratë e shitjes së drogës", qëndron në kumtesën e MPB-së. 

Pas pranimit të padisë penale, gjatë ditës së nesërme, informojnë nga MPB, Prokuroria Themelore Publike në Shkup do të marrë Vendim për zbatimin e procedurës hetuese kundër të dyshuarit për vepër penale prodhimtari e palejuar dhe lëshim në qarkullim të drogave narkotike, substanca psikotrope dhe prekursorë nga neni 215 nga Kodi Penal. Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup do të dorëzohet propozim për përcaktimin e masës së paraburgimit për personin e dyshuar. 

"Gjatë procedurës, kundër të dyshuarit do të zbatohet edhe hetim financiar. Nëse vërtetohen dyshimet se pajisjet e gjetura, mjetet transportuese dhe pasuria e patundshme janë arritur me mjete financiare të realizuara me shitje të drogave narkotike, Prokuroria Publike do të fillojë procedurë për konfiskim, në përputhje me dispozitat ligjore", njoftoi MPB. fc/

Fotografia dhe video: MPB

QËNDRONI TË LIDHUR