Banka Botërore rishikon parashikimin për rritje të ekonomisë së Maqedonisë
- Banka Botërore ka rishikuar përpjetë parashikimin për rritjen e ekonomisë së Maqedonisë në vitin 2025 dhe 2026. Në raportin e saj të fundit për perspektivat ekonomike globale, Banka Botërore vlerëson se ekonomia e vendit do të shënojë rritje prej 3,0 për qind këtë vit, që është 0,1 për qind më shumë se parashikimi i mëparshëm. Për vitin 2026 parashikohet një rritje prej 3,2 për qind, ose një rritje prej 0,2 për qind krahasuar me vlerësimin e mëparshëm.
Uashington, 18 janar 2025 (MIA) - Banka Botërore ka rishikuar përpjetë parashikimin për rritjen e ekonomisë së Maqedonisë në vitin 2025 dhe 2026. Në raportin e saj të fundit për perspektivat ekonomike globale, Banka Botërore vlerëson se ekonomia e vendit do të shënojë rritje prej 3,0 për qind këtë vit, që është 0,1 për qind më shumë se parashikimi i mëparshëm. Për vitin 2026 parashikohet një rritje prej 3,2 për qind, ose një rritje prej 0,2 për qind krahasuar me vlerësimin e mëparshëm.
Nga vendet e rajonit, Bullgaria do të shënojë rritje prej 2,8 për qind këtë vit, Kroacia 3,0 për qind, Bosnja e Hercegovina 3,2 për qind, Shqipëria dhe Mali i Zi nga 3,5 për qind, Kosova 3,9 për qind dhe Serbia 4,2 për qind.
Parashikohet se i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor do të ketë rritje prej 3,7 për qind në 2025 dhe 3,9 për qind në 2026.
Rol kyç pritet të kenë konsumi dhe investimet private, veçanërisht në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi. Në të njëjtën kohë, ngadalësimi i rritjes së eurozonës pritet të sigurojë vetëm mbështetje të kufizuar për eksportet.
Banka Botërore konsideron se Plani i Rritjes i Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor mund të dyfishojë ekonominë e rajonit brenda një dekade, duke mbështetur anëtarësimin në BE dhe duke përmirësuar financimin e infrastrukturës dhe integrimin e tregut.
Megjithatë, rreziqet kryesore janë tensionet gjeopolitike. Pushtimi rus i Ukrainës mbetet një faktor i rëndësishëm në formësimin e perspektivës rajonale. Çdo përshkallëzim i mëtejshëm mund të çojë në përçarje më të madhe ekonomike në të gjithë rajonin.
Vonesat në zbatimin e reformave strukturore mund të pengojnë disbursimin e mjeteve të BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe të vonojnë perspektivat e anëtarësimit në BE për vendet kandidate aktuale. Përveç kësaj, disa ekonomi mund të përballen me sfida shtesë gjatë realizimit të projekteve të mëdha infrastrukturore të financuara nga BE-ja.
Banka Botërore pret që rritja ekonomike globale të jetë 2,7 për qind këtë vit dhe të mbetet në të njëjtin nivel në vitin 2026, duke theksuar se kjo normë është e pamjaftueshme për të stimuluar zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.
Sipas zëvendës kryeekonomistit të Bankës Botërore, Ajhan Kose, kjo është një normë me të cilën bota "mund të jetojë", por nuk mjafton për të përmirësuar standardet e jetesës së njerëzve, si në vendet më të pasura ashtu edhe në ato më të varfra të botës.
Raporti i bankës paralajmëron gjithashtu për pengesa shtesë ndaj këtij skenari, nga rritja e pasigurisë politike dhe ndryshimet negative në politikën tregtare, deri te tensionet gjeopolitike dhe inflacioni i vazhdueshëm, te fatkeqësitë natyrore të lidhura me klimën. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s/ printskin