• e diel, 19 janar 2025

Murtezani në Kiev nënshkroi Memorandum për bashkëpunim me Ukrainën për përforcimin e bashkëpunimit në procesin e integrimit në BE

Murtezani në Kiev nënshkroi Memorandum për bashkëpunim me Ukrainën për përforcimin e bashkëpunimit në procesin e integrimit në BE

Shkup, 18 janar 2025 (MIA) - Ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, sot në Kiev mbajti takim me zëvendëskryetaren e Qeverisë së Ukrainës, përgjegjëse për Integrime Evropiane dhe Euroatlantike, ministre e Drejtësisë dhe kryenegociatore për anëtarësimin e Ukrainës në BE, Olga Stefanishina. Në fokus të takimit ishte nënshkrimi i Memorandumit për bashkëpunim mes Maqedonisë së Veriut dhe Ukrainës për çështjet lidhur me integrimin në Bashkimin Evropian, për të cilin si nënshkrues të caktuar në emër të  Qeverive të të dyja vendeve janë kryenegociatorët me BE-në, Murtezani dhe Stefanishina.

Në takim, siç kumtoi Kabineti i Murtezanit, u potencua rëndësia e integrimit evropian si prioritet strategjik për të dyja vendet. Ministri Murtezani potencoi se procesi i zgjerimit duhet të mbetet i besueshëm dhe i bazuar në merita, që të sigurojë stabilitet dhe progres.

“Maqedonia e Veriut mbështet Ukrainën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian ndërkaq kjo vizitë konfirmon aspiratën tonë të përbashkët drejt vlerave evropiane. Procesi i aderimit në Bashkimin Evropian nuk duhet të jetë përjashtim, por gjithëpërfshirës dhe i bazuar në merita, duke i mundësuar Ukrainës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor shans ligjor për progres. “Uniteti dhe solidariteti mes popujve tanë janë kyçe për ndërtimin e Evropës së fuqishme dhe të unifikuar”, theksoi Murtezani.

Bashkëbiseduesit konstatuan se Memorandumi për mirëkuptim është hap domethënës në ndërtimin e bashkëpunimit më të ngushtë mes të dyja vendeve, me qëllim të shkëmbimit të njohurive dhe përvojave që do të kontribuojnë në arritjen më të suksesshme të qëllimeve të përbashkëta të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ministri Murtezani shprehu gatishmëri që Maqedonia e Veriut të ndajë përvojën e saj nga procesi i aderimit me Ukrainën, duke theksuar se shkëmbimi i praktikave të mira do të jetë me rëndësi të jashtëzakonshme. Memorandumi përmban shkëmbimin e përvojave dhe njohurive në fusha të ndryshme, duke përfshirë legjislacionin, reformat në gjyqësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe promovimin e vlerave evropiane. Palët obligohen të bashkëpunojnë në përmirësimin e kapaciteteve institucionale, si dhe të shkëmbejnë ekspertizë në përmbushjen e kritereve për anëtarësimin në BE. Memorandumi gjithashtu parashikon organizimin e ngjarjeve, trajnimeve dhe nismave të përbashkëta për mbështetjen e integrimit evropian të Ukrainës dhe Maqedonisë së Veriut.

Zëvendëskryetarja e Qeverisë së Ukrainës, Stefanishina, shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se bashkëpunimi i ndërsjellë është me rëndësi të jashtëzakonshme për perspektivën evropiane të të dyja vendeve. Ajo theksoi se Ukraina e sheh Maqedoninë e Veriut si partner dhe mik në procesin e euro-integrues.

Në takim u rishikuan edhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit rajonal përmes projekteve dhe nismave të përbashkëta, posaçërisht në fushat ku përmes bashkëpunimit të ngushtë mund të përforcohen përpjekjet e të dyja vendeve për anëtarësim në Union. Murtezani dhe Stefanishina u dakorduan se qasja e unifikuar në zgjidhjen e sfidave të përbashkëta dhe shfrytëzimi i mundësive që i ofron procesi i integrimit në BE janë me vlerë vendimtare si për Ukrainën ashtu edhe për Maqedoninë e Veriut. Ata nënvizuan përkushtimin e ndërsjellë për veprime të koordinuara në avancimin e stabilitetit, rritjes dhe vlerave evropiane në rajon. bsh/

Foto: MÇE

QËNDRONI TË LIDHUR