Anëtaret e BE-së arrijnë marrëveshje për vazhdimin e sanksioneve ndaj Rusisë (PLT)
- Përfaqësuesit e përhershëm të qeverive të shteteve anëtare të BE-së në Bruksel sot në mëngjes njëzëri vendosën për vazhdimin e sanksioneve të vendosura për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës deri më 15 shtator 2025.
- Post By Fami Bajrami
- 13:21, 14 mars, 2025

Bruksel, 14 mars 2025 (MIA) - Përfaqësuesit e përhershëm të qeverive të shteteve anëtare të BE-së në Bruksel sot në mëngjes njëzëri vendosën për vazhdimin e sanksioneve të vendosura për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës deri më 15 shtator 2025.
“Sot kemi një vendim unanim për të vazhduar sanksionet ekzistuese kundër atyre që janë përgjegjës për cenimin e integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës edhe për gjashtë muaj të tjerë”, deklaroi zëdhënësja e Komisionit Evropian për punë të jashtme dhe politikë të sigurisë, Anita Hiper.
Ajo shtoi se me këtë BE-ja ka treguar unitetin e saj sa i përket sanksioneve dhe se pas 16 pakove të sanksioneve të miratuara deri tani, tani është duke punuar në përgatitjen e pakos së 17-të.
"Ne e dimë shumë mirë se sanksionet tona funksionojnë. Ata po e gjymtojnë ekonominë ruse dhe ky është pikërisht efekti i planifikuar, sepse ajo që ne duam të arrijmë është të sigurojmë që Ukraina të jetë e fortë dhe Rusia të mos ketë para dhe mjete për makinerinë e saj ushtarake", ka thënë Hiper.
Negociatat për vazhdimin e sanksioneve që sipas vendimit të mëparshëm skadon nesër mbrëma në mesnatë, kanë ngecur për shkak të, siç pohojnë burime diplomatike, kundërshtimet nga Hungaria. "Fajnenshëll tams" bën të ditur se Hungaria ka kushtëzuar mbështetjen e saj për një vazhdim të ri të sanksioneve me heqjen e tetë personave nga lista e sanksioneve, duke përfshirë oligarkët rusë Mihail Fridman, Alisher Usmanov dhe Pjotr Aven.
Pas kërcënimit të Hungarisë se do të vendos veto, katër persona u hoqën nga lista, ndërsa tre persona që së fundmi vdiqën janë fshirë nga lista, thonë burimet e BE-së.
Hiper ka refuzuar të komentojë këto akuza, duke theksuar se këto janë marrëveshje konfidenciale mes shteteve anëtare.
“Ajo që është e rëndësishme është se ne kemi pothuajse 2.400 individë që lidhen me sanksionet, kështu që ky është një numër shumë i mirë dhe i madh”, tha Hiper, duke shtuar se BE-ja po përpiqet të sigurojë që sanksionet të arrijnë efektin e tyre për të minuar aftësirë e Rusisë për të financuar dhe vazhduar agresionin e saj kundër Ukrainës.