• сабота, 19 септември 2026

Zelenski: Rusia gjithnjë e më shumë po e ndjen luftën në territorin e saj

Zelenski: Rusia gjithnjë e më shumë po e ndjen luftën në territorin e saj

Kiev, 10 gusht 2026 (MIA) - Ukraina do t'i përgjigjet çdo sulmi rus dhe lufta do të ndihet gjithnjë e më shumë në territorin e Rusisë, tha mbrëmë presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.

"Ndaj çdo sulmi rus do të ketë përgjigje. Lufta e Rusisë do të ndihet gjithnjë e më shumë në vend, në Rusi", ka thënë Zelenski.

Ai ka falënderuar Forcat e armatosura të Ukrainës dhe Shërbimin e sigurisë së Ukrainës, duke deklaruar se operacioni kundër industrisë ruse të naftës vazhdon që siç tha ai, është "shumë i ndjeshëm për Rusinë".

Zelenski madje shtoi se u goditën sistemet raketore ruse kundërajrore dhe stacionet e radarëve, si dhe infrastruktura ruse në rajonet e Azovit dhe Detit të Zi.

Ai gjithashtu përmendi pasojat e sulmeve ruse në qytetet dhe rajonet ukrainase, duke përfshirë rajonet e Odesës, Harkovit, Pavlogradit, Hersonit, atë të Sumit dhe Zhitomirit.

“Puna është ende duke vazhduar në Odesa pas sulmit rus. Pati ndërprerje të energjisë elektrike dhe ujit - të gjitha shërbimet janë të angazhuara në rivendosjen e furnizimit. Këtë mëngjes më shumë se 300 mijë familje në Odesa dhe rajon kanë qenë pa energji elektrike dhe tani një e treta është rilidhur. Puna po vazhdon”, ka thënë ai.

Zelenski ka falënderuar ekipet e Shërbimit shtetëror të emergjencave të Ukrainës dhe të gjithë ata që u përfshinë në rivendosjen e infrastrukturës së shkatërruar dhe normalizimin e situatës në qytet.

“Pati gjithashtu sulme në Harkov dhe rrethinat e tij, në Pavlograd, Herson, rajonin e Sumit dhe rajonin tonë të Zhitomirit. Është e rëndësishme t'u ofrohet ndihmë e vërtetë njerëzve kudo”, ka thënë presidenti ukrainas.

Foto: arkivi i MIA-s

Тагови