Zelenski: Lufta në Iran mund ta vështirësojë furnizimin e Ukrainës me raketa
- Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, deklaroi se përshkallëzimi i konfliktit në Iran mund ta vështirësojë furnizimin e Ukrainës me raketa për mbrojtje ajrore, pasi SHBA-së dhe aleatëve të tyre mund t’u nevojiten ato rezerva në Lindjen e Mesme.
Kiev 3 mars 2026 (MIA) - Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, deklaroi se përshkallëzimi i konfliktit në Iran mund ta vështirësojë furnizimin e Ukrainës me raketa për mbrojtje ajrore, pasi SHBA-së dhe aleatëve të tyre mund t’u nevojiten ato rezerva në Lindjen e Mesme.
Në një intervistë për gazetën italiane "Koriere dela Sera", Zelenski vlerësoi se sulmi ndaj objektivave ushtarake iraniane ishte një vendim i mirë, duke theksuar se Irani prodhon sasi të konsiderueshme armësh për Rusinë, veçanërisht dronë dhe raketa.
"Mund të përballemi me vështirësi në sigurimin e raketave dhe sistemeve për mbrojtjen e qiellit tonë. Amerikanët dhe aleatët e tyre mund t’i mbajnë ato për nevojat e tyre", tha Zelenski, duke rikujtuar se dërgesat për Ukrainën ishin ngadalësuar gjatë tensioneve të mëparshme në Lindjen e Mesme.
Duke folur për presidentin rus, Vladimir Putin, Volodimir Zelenski vlerësoi se ai është "dobësuar" dhe se e ka humbur ofensivën dimërore kundër Ukrainës.
Zelenski përsëriti se Ukraina nuk do të pranojë të tërhiqet nga Donbasi, duke theksuar se një veprim i tillë do t’u hapte rrugën forcave ruse drejt brendësisë së vendit.
Ai shtoi se Kievi mbetet i hapur për negociata, por se pozicionet e të dyja palëve janë ende larg njëra-tjetrës, veçanërisht për çështjen e territoreve dhe garancive të sigurisë. qa/
Foto: Arkivi i MIA-s