• вторник, 13 јануари 2026

Zelenski: Garancat e sigurisë për Ukrainën nga SHBA-ja do të finalizohen në nivelin më të lartë

Zelenski: Garancat e sigurisë për Ukrainën nga SHBA-ja do të finalizohen në nivelin më të lartë

Kiev, 12 janar 2026 (MIA) - Presidenti ukrainas Vollodimir Zelenski dha urdhër që dokumenti për garancat e sigurisë për Ukrainën nga SHBA-ja të finalizohet dhe dorëzohet në shqyrtim në nivelin më të lartë, njoftoi Ukrinform.

"Biseduam për orarin për dy javët e ardhshme lidhur me takimet, përgatitjen e dokumenteve dhe nënshkrimet e mundshme. Dhash urdhër që dokumenti për garancat e sigurisë për Ukrainën nga SHBA-ja të finalizohet dhe dërgohet në shqyrtim në nivelin më të lartë. Kjo duhet të jetë dokument me rëndësi historike, ndërsa teksti tashmë e ka arritur këtë nivel", ka shkruar Zelenski në rrjetet sociale.

Ai sqaroi se u ka dhënë detyrë kryeministres Julia Sviridenko, zëvendëskryeministrit Taras Kaçka dhe ministrit të Ekonomisë, Oleksij Sobolev që të sigurojnë mbikëqyrje të plotë dhe shqyrtim nga ekspertë të të gjitha aspekteve ekonomike të marrëveshjeve të ardhshme midis Ukrainës dhe SHBA-së, si dhe formatet trepalëshe Ukrainë-Evropë-Amerikë.

Zelenski theksoi gjithashtu edhe nevojën për qartësi në lidhje me atë nëse Rusia është gati t'i japë fund luftës.

"Ne e kuptojmë që pala amerikane është në kontakt me Rusinë në lidhje me kornizën politike për përfundimin e luftës. Duhet të ketë përgjigje të qartë nga Rusia - nëse është gati t'i japë fund luftës në kushte reale. Nëse nuk ka gatishmëri të tillë, presioni mbi agresorin duhet të vazhdojë të rritet", tha ai.

Paraprakisht, ai zbuloi hollësira të draft-dokumentit prej 20 pikash të Kievit për t'i dhënë fund luftës, si dhe dokumente shtesë, duke përfshirë një kornizë shumëpalëshe për garancitë e sigurisë midis Ukrainës, SHBA-së dhe Evropës, dokument dypalësh për garancitë amerikane dhe plan për rimëkëmbje dhe zhvillim ekonomik. bsh/

Foto: Zelenski në Fejsbuk

Остани поврзан