Zelenski akuzon Rusinë për terror kundër popullsisë ukrainase
- Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski akuzoi sot Rusinë për terror kundër popullit ukrainas, pasi këtë javë kreu sulme të rënda ajrore, informon DPA.
Kiev, 11 janar 2026 (MIA) - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski akuzoi sot Rusinë për terror kundër popullit ukrainas, pasi këtë javë kreu sulme të rënda ajrore, informon DPA.
Ai shkroi në mediat sociale se gjatë javës së kaluar armata ruse ka përdorur rreth 1.100 dronë, 890 raketa dhe 50 raketa të llojeve të ndryshme, përfshirë raketën balistike me rreze të mesme veprimi "Oreshnik" kundër Ukrainës.
Armët kanë qenë të drejtuara "në caqe që nuk kanë rëndësi ushtarake: objekte energjitike dhe ndërtesa banimi", ka thënë Zelenski. Moska qëllimisht po priste motin e ftohtë që t'ua vështirësonte jetën ukrainasve të zakonshëm, shtoi ai.
"Ky është terror i qëllimshëm dhe cinik rus kundër popullit", shkroi presidenti ukrainas.
Ai ngarkoi një video të një droni që godiste caqe civile në Kiev dhe përreth tij, si dhe në rajonet Harkov, Herson, Dnjepropetrovsk, Donjeck, Odesa, Zaporozhje dhe Çernigov. Videoja nuk përfshin pamje të qytetit perëndimor të Lvivit i cili u godit nga një raketë "Oreshnik".
Kremlini thotë se po godet vetëm caqe ushtarake, megjithëse sulmet ndaj centraleve bërthamore kanë goditur civilë.
Ndërkohë, më shumë se 1.000 pallate në Kiev janë ende pa ngrohje pas një sulmi në fillim të kësaj jave, theksojnë autoritetet lokale.
Të premten, një sulm me raketa në Kiev la të gjithë qytetin pa energji elektrike dhe ngrohje. Vetëm sot autoritetet rivendosën furnizimin me ujë, ndërsa energjia elektrike dhe ngrohja u aktivizuan në disa zona.
Dëmet e akumuluara në rrjetin elektrik kanë çuar në ndërprerje të shërbimeve komunale me temperatura nën -12 gradë Celsius dhe pritet të arrijnë në -20 gradë Celsius këtë javë.
Foto: EPA