• четврток, 25 декември 2025

Vizioni i Strategjisë Nacionale të Arsimit - ofrimi i arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës, i arritshëm për të gjithë

Vizioni i Strategjisë Nacionale të Arsimit - ofrimi i arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës, i arritshëm për të gjithë

Shkup, 18 dhjetor 2025

Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Sport mbajti takim pune me ministren e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska; sekretaren shtetërore në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Elena Ivanovska; koordinatoren Ivana Batiniq-Popovska dhe ekspertët që hartuan Strategjinë Nacionale të Arsimit 2026 - 2032 dhe Planin e Veprimit 2026 - 2032.

Kryetarja e Komisionit, Ivanka Vasilevska, theksoi se ky takim është i rëndësishëm për të pasur një pamje më të qartë të Strategjisë Nacionale të Arsimit 2026 - 2032 dhe një mundësi për të shkëmbyer mendime mbi këtë dokument strategjik, me qëllim përmirësimin e tekstit. Ne duhet të bëjmë reforma thelbësore në interes të brezave të ardhshëm - tha Vasilevska.

Ministrja Janevska theksoi se arsimi me cilësi më të lartë duhet të jetë qëllimi dhe prioriteti i përbashkët. Në këtë drejtim, ajo përmendi promovimin e vlerave të dijes dhe kompetencës së mësimdhënësve.

Koordinatorja për këtë strategji, Ivana Batiniq-Popovska, prezantoi Strategjinë Nacionale të Arsimit 2026 - 2032, duke theksuar rëndësinë e reformave thelbësore në interes të brezave të ardhshëm.

Strategjia e hartuar rendit fushat prioritare, një përmbledhje të politikave, qëllimet e përgjithshme, specifike dhe masat në secilën prej fushave prioritare.

Në fushën prioritare 1 - Arsimi parashkollor, qëllimet specifike janë: rritja e mbulimit të fëmijëve në arsimin parashkollor; përmirësimi i cilësisë së procesit në arsimin parashkollor dhe forcimi i kompetencave profesionale të stafit arsimor; sistemi funksional për matjen dhe menaxhimin e cilësisë së punës në institucionet parashkollore.

Fusha prioritare 2 - Arsimi fillor, ka për qëllime specifike: përmirësimin e kushteve infrastrukturore, organizative dhe të personelit për mësim cilësor dhe gjithëpërfshirës; përmirësimin e cilësisë së praktikës mësimore; përmirësimin e kapaciteteve dhe programeve për të mbështetur mirëqenien dhe pjesëmarrjen e nxënësve.

Qëllimet specifike në fushën prioritare 3: Arsimi i mesëm dhe arsimi artistik janë: krijimi i kuadrit modern, gjithëpërfshirës dhe cilësor për arsimin e mesëm dhe arsimin artistik përmes koncepteve, programeve mësimore dhe të provimeve të reja dhe përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve digjitale të të nxënit; përmirësimin e cilësisë së praktikës mësimore dhe procesit arsimor për të arritur rezultate më të larta të nxënësve dhe zhvillimin e kompetencave kryesore; përmirësimin e mirëqenies, përfshirjen sociale, pjesëmarrjen aktive dhe zhvillimin e karrierës së nxënësve.

Në fushën prioritare 4: Arsimi dhe trajnimi profesional, tre qëllimet specifike janë: rritja e rëndësisë dhe përshtatshmërisë së AFP-së me tregun e punës; krijimi i partneriteteve të qëndrueshme midis shkollave profesionale, industrisë, arsimit të lartë dhe institucioneve kërkimore; zhvillimi i kompetencave profesionale të rëndësishme globalisht dhe përafrimi ndërkombëtar.

Si fusha e 5-të prioritare - Arsimi pasuniversitar, ajo theksoi dy qëllime specifike: operacionalizimin e sistemit të studimeve të shkurtra profesionale në nivelin V, nënniveli VA; operacionalizimin e sistemit të arsimit pasuniversitar në nivelin V, nënniveli VB.

Fusha e gjashtë prioritare - Arsimi i të rriturve, mbulon qëllimet specifike: Rritja e aksesit në arsimin e të rriturve; Forcimi i aftësive inovative, digjitale dhe të gjelbra; Arsimi i të rriturve i përshtatur me kornizën nacionale të kualifikimeve dhe i integruar me kornizën evropiane të kualifikimeve.

Në fushën e 7-të prioritare të fundit - Arsimi i lartë, shkenca dhe inovacioni, qëllimet specifike janë: përmirësimi i mbulimit dhe aksesit në arsimin e lartë, me fokus në barazi dhe përfshirje më të madhe; përmirësimi i cilësisë dhe rëndësisë së arsimit të lartë për tregun e punës; përmirësimi i infrastrukturës, kapaciteteve njerëzore dhe financimi i qëndrueshëm i arsimit të lartë; përmirësimi i kushteve për kërkimin shkencor dhe inovacionin dhe transferimi i tyre në ekonomi dhe shoqëri.

Të pranishmit në takimin e punës ranë dakord me vizionin e strategjisë - ofrimin e arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës, të arritshëm për të gjithë, i cili ofron mundësi dhe burime të barabarta për të nxënë dhe zhvilluar.

Sistemi i edukimit, arsimit dhe të nxënit gjatë gjithë jetës bazohet në inovacion, kultivon potencialin, talentin dhe përsosmërinë, mbështet kulturën demokratike, pjesëmarrjen substanciale, kërkimin dhe shkencën. Arsimi ndërton qytetarë të shëndetshëm, të përgjegjshëm, kompetentë dhe empatikë, të cilët janë në gjendje të sigurojnë mirëqenien dhe cilësinë e jetës së tyre, si dhe të kujdesen për komunitetin. Stafi arsimor është profesional, i përkushtuar dhe i motivuar dhe vazhdimisht, së bashku me nxënësit, prindërit dhe komunitetin, krijon mjedis të lumtur dhe të sigurt të të nxënit.

Komisioni parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Sport

_________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit. 

Foto: Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Sport

 

Остани поврзан