Vensi arrin në Budapest
- Zëvendëspresidenti i SHBA-së, Xhej Di Vens ka arrit në Hungari mbrëmë për të shprehur mbështetjen e presidentit Donald Tramp për aleatin e tij, kryeministrin Viktor Orban, përpara zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen këtë javë, raporton "Euronjuz".
Budapest, 7 prill 2026 (MIA) - Zëvendëspresidenti i SHBA-së, Xhej Di Vens ka arrit në Hungari mbrëmë për të shprehur mbështetjen e presidentit Donald Tramp për aleatin e tij, kryeministrin Viktor Orban, përpara zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen këtë javë, raporton "Euronjuz".
Vens do të takohet me Orbanin këtë mëngjes dhe më pas do të mbajë fjalim në aktivitetin "Dita e miqësisë hungarezo-amerikane" në Parkun sportiv MTK. "Do të diskutojmë për tema që lidhen me marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Hungarisë", u tha Vens gazetarëve ndërsa po largohej nga Baza ajrore Endrus pranë Uashingtonit. "Jam i bindur se diskutimet do të prekin Evropën, Ukrainën dhe të gjitha çështjet e tjera".
Presidenti Tramp ka shprehur vazhdimisht mbështetjen e tij për kryeministrin hungarez gjatë mandatit të tij të dytë. “Unë e mbështes atë në zgjedhjet e ardhshme; në fakt e mbështes plotësisht”, ka thënë presidenti amerikan.
Fushata e Viktor Orbanit është përqendruar në çështjet e politikës së jashtme në të cilat ai luan një rol kyç duke ruajtur marrëdhëniet e mira si me presidentin amerikan Donald Tramp ashtu edhe me presidentin rus Vlladimir Putin.
Megjithatë, anketat nga institutet e pavarura parashikojnë një fitore bindëse për partinë Tisa të udhëhequr nga konservatori pro-evropian Peter Magjar. Nga ana tjetër, agjencitë proqeveritare raportojnë fitore për koalicionin Fidez-KDNP të Orbanit.
Kështu, sekretari amerikan i shtetit, Marko Rubio, vizitoi Budapestin në mesin e shkurtit dhe i dëshiroi “sukses” aleatit të tij hungarez.
“Mund t’ju them me siguri se presidenti Tramp është thellësisht i përkushtuar ndaj suksesit tuaj, sepse suksesi juaj është suksesi ynë”, tha Rubio në konferencën e përbashkët për shtyp me Orbanin pas takimit të tyre.
Foto: EPA