• четврток, 25 декември 2025

Vendimi për pasardhësin e përkohshëm të Kocevskit shtyhet për të hënën

Vendimi për pasardhësin e përkohshëm të Kocevskit shtyhet për të hënën

Shkup, 18 dhjetor 2025 (MIA) - Për të hënën në orën 11 është caktuar seanca e Këshillit të prokurorëve publik në të cilën duhet të caktojë ushtrues detyre të prokurorit publik pasi prokurori publik shtetëror Ljupço Kocevski të martën dha dorëheqje të parevokueshme, pas së cilës Kuvendi ditën e njejtë konstatoi ndërprerjen e detyrës së tij.

Seanca e sotme u shty për shkak të mungesës së anëtares së Këshillit, Jelena Dogazanska Koleva. Për shkak të mungesës së saj, anëtari i Këshillit prokurori Ermon Neziri propozoi që të shtyhet zgjedhja e u.d. prokurorit publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, pasi, siç tha, kjo është një çështje e rëndësishme dhe duhet të zgjidhet me përbërje të plotë u.d. prokurori i përgjithshëm në detyrë. Me këtë propozim të Nezirit ranë dakord të gjithë anëtarët e Këshillit të prokurorëve publik.

"Kam një dilemë, kolegia mungon. Sipas meje, bëhet fjalë për institucionin më të lartë në shtet. Ne nuk kemi mjete teknike për ta përfshirë atë, fatkeqësisht. A do të mund të shtyhet ndoshta për një ditë apo dy, që kolegia të mund të vijë, në mënyrë që Këshilli, kur të dalë me qëndrim, çdo anëtar të mund ta shprehë qëndrimin e vet. Nëse mund ta bëjmë këtë. Unë propozoj të shtyhet seanca deri të hënën. Sa di unë, kolegia do të kthehet të hënën. Në mënyrë eventuale, për të mundësuar zgjedhjen dhe emërimin e prokurorit të përkohshëm sipas radhës, me të gjithë anëtarët, që ata publikisht të shprehin opinionin e tyre dhe çdo anëtar të japë qëndrimin për kandidatin, në Prokurorinë Publike ka nëntë ose më shumë vota, sa ka prokurorë, sepse ne duhet edhe nga aty të zgjedhim, si prokurorë kemi detyrë ligjore", tha Neziri.

Ushtruesi i detyrës emërohet sipas nenit 25, paragrafi 4 i Ligjit për prokurorë publik, ndërsa caktohet nga radhët e prokurorëve publikë në Prokurorinë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Detyrën do ta kryejë deri në emërimin e një prokurori të ri shtetëror por jo më gjatë se gjashtë muaj.

Ljupço Kocevski të matën, ditën e njejtë kur Kuvendi duhej të debatojë për propozimin e Qeverisë për shkarkimin e tij, në konferencë për shtyp njoftoi se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme të detyrës. Kocevski në shpjegim theksoi se detyrën nga e cila largohet e ka kryer me nder dhe dinjitet, ndërsa dorëheqjen e ka dhënë për shkak të, "shpërfilljes së dukshme të parimeve mbi të cilat bazohet sundimi i ligjit".

Dorëheqjen, siç tha, e jep për shkak të "mosrespektimit të parimeve mbi të cilat bazohet sundimi i ligjit", ndërsa propozimin për shkarkimin e tij e vlerësoi si vendim politik.

Kocevski në prokurori është nga viti 2008, kur u zgjodh prokuror publik në Prokurorinë e Lartë Publike në Gostivar. Për prokuror publik shtetëror është zgjedhur më 18.01.2022 nga Këshilli i Prokurorëve Publik, ndërsa Kuvendi e emëroi më 13.02.2024.

Procedura ligjore për zgjedhjen e njeriut të parë të Prokurorisë Publike parashikon që ai duhet të jetë shtetas i Maqedonisë, në mënyrë aktive ta zotërojë gjuhën maqedonase, të ketë aftësi juridike, të ketë kryer studimet e juridikut dhe provimin e dhënë të jurisprudencës. Një kusht i veçantë për prokuror publik shtetëror është që kandidati të ketë stazh pune të pandërprerë prej të paktën 10 vjet si prokuror publik ose si gjyqtar nga fusha e të drejtës penale.

Prokurori i ri publik shtetëror duhet të zgjidhet pas shpalljes së publikuar nga Kuvendi. Afati për dorëzimin e aplikimeve është 15 ditë nga dita e publikimit të njoftimit në Gazetën Zyrtare. Pas aplikimit të kandidatëve, Qeveria duhet të kërkojë mendim nga Këshilli i Prokurorëve Publik për të gjithë kandidatët e paraqitur.

Këshilli i Prokurorëve Publik obligohet t'i përgatisë mendime të arsyetuara pozitive ose negative në formë të shkruar në afat prej 15 ditësh. Nëse Këshilli i prokurorëve publik për arsye të justifikuara  nuk i dorëzon mendim Qeverisë, afati vazhdohet edhe për 15 ditë. Nëse edhe pas këtij afati Këshilli nuk dorëzon mendim, konsiderohet se mendimi është pozitiv.

Në rast se Këshilli i prokurorëve publik nuk jep mendim për asnjërin nga kandidatët e paraqitur, Qeveria nuk mund të konfirmojë propozim për emërimin e prokurorit publik dhe do t'i propozojë Kuvendit të publikojë shpallje të re. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s

Остани поврзан