• понеделник, 20 април 2026

Valë e re arrestimesh në Turqi për shkak të dyshimeve për mashtrim dhe korrupsion në komunat e drejtuara nga partia opozitare

Valë e re arrestimesh në Turqi për shkak të dyshimeve për mashtrim dhe korrupsion në komunat e drejtuara nga partia opozitare

Ankara, 30 mars 2026 (MIA) - Një valë e re arrestimesh lidhur me dyshime për mashtrim dhe praktika korruptive në komunat e drejtuara nga Partia Republikane Popullore (CHP) opozitare në Turqi ka goditur vendin në ditët e fundit, njoftuan mediat turke. Punonjës të komunës Ankara Etimesgut dhe komunës Antalia e Madhe janë arrestuar.

Në një operacion të veçantë këtë mëngjes, u arrestuan këshilltari kryesor i komunës Antalia e Madhe (jug i Turqisë), Xhem Oguz, si dhe një nga punonjësit e komunës, njofton TRT Haber. Arrestimet janë pjesë e një hetimi më të gjerë për korrupsion në komunë, të udhëhequr nga Zyra e prokurorit të përgjithshëm të Stambollit.

Dje, në të njëjtin hetim, u arrestua edhe një punonjës tjetër i komunës Antalia e Madhe, ndërsa të dy shoferët e kryetarit të shkarkuar të komunës, Muhitin Boçek, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim, u mbajtën në paraburgim të përhershëm pas arrestimit të tyre të enjten e kaluar, njofton TRT Haber.

Të premten e kaluar, kryetari i qytetit perëndimor turk Ushak, Ozkan Jalam, i cili gjithashtu është nga CHP, u arrestua nën akuzë për korrupsion dhe manipulim të ofertave.

Vala më e re e arrestimeve është pjesë e fushatës së madhe të autoriteteve turke për hetimin e komunave të drejtuara nga CHP, e cila deri tani ka çuar në paraburgimin e një numri të madh funksionarësh dhe kryetar komunash nga partia opozitare, duke përfshirë edhe kryetarin e shkarkuar të Stambollit, Ekrem Imamoglu, i cili u arrestua më 19 mars të vitit 2025.

Lajmi vjen gjatë gjykimit aktual të Ekrem Imamoglut dhe 407 të tjerëve të akuzuar, përfshirë disa kryetarë të tjerë komunalë nga CHP, i cili filloi më 9 mars. Sipas aktakuzës së Prokurorisë turke, një grup i organizuar i udhëhequr nga Imamoglu filloi të veprojë gjatë mandatit të tij si kryetar i komunës Bejlikduzu në Stamboll dhe u zgjerua gjatë mandatit të tij si kryetar i komunës Stambolli i Madh. Imamoglu akuzohet për 142 vepra të ndryshme, duke përfshirë "formimin e një organizate me qëllim kryerjen e veprave penale", "fshehjen e provave të veprës penale" etj, ndërsa prokurorët kërkojnë dënim deri në 2,352 vjet burg për të. qa/

Foto: Arkivi

 

 

Остани поврзан