• четврток, 25 декември 2025

UNICEF mirëpret miratimin e udhëzimeve të reja për mbrojtjen e fëmijëve nga ndotja e ajrit

UNICEF mirëpret miratimin e udhëzimeve të reja për mbrojtjen e fëmijëve nga ndotja e ajrit

Shkup, 22 dhjetor 2025 (MIA) - UNICEF-i mirëpret miratimin e fundit të protokolleve gjithëpërfshirëse me synim të përmirësimit të cilësisë së ajrit në shkolla, si dhe rekomandimet e qarta për veprim përballë rritjes së ndotjes së ajrit. Miratimi i këtyre rekomandimeve vijon pas harmonizimit të kohëve të fundit të indeksit nacional të cilësisë së ajrit me Indeksin evropian të cilësisë së ajrit, gjë që ngjanë në një periudhë kritike, pasi nivelet e ndotjes së ajrit në Shkup dhe rajonet tjera vazhdojnë të paraqesin rrezik serioz për shëndetin, veçanërisht për fëmijët.

Rekomandimet e reja për veprim ndaj ndotjes ambientale të ajrit, siç bëhet e ditur në kumtesën e UNICEF-it, ofrojnë udhëzime të qarta, të cilat zbatohen në bazë të cilësisë aktuale të ajrit. 

"Gjatë ditëve kur cilësia e ajrit është e mirë, rekomandohet që shkollat të organizojnë më shumë aktivitete në natyrë, siç janë sportet dhe rekreacioni, si dhe të bëjnë ajrosje natyrore të hapësirave shkollore, duke hapur më shpesh dritaret. Gjatë ditëve kur cilësia e ajrit përkeqësohet dhe arrin nivele të këqija, shumë të këqija ose jashtëzakonisht të këqija, protokollet këshillojnë që aktivitetet të zhvendosen brenda ose të anulohen të gjitha aktivitetet në natyrë ose ato me intensitet fizik. Shkollat duhet t’i mbyllin dyert dhe dritaret e jashtme; të përdorin pastrues ajri, nëse është e mundur; dhe t’i monitorojnë nxënësit për simptoma, që ndërlidhen me ndotjen e ajrit (si dhimbje koke, gulçim, kollë, të përziera dhe acarim të syve, hundës dhe fytit) dhe sipas nevojës t’i njoftojnë prindërit. Në rastet e ndotjes së papritur ose kur të dhënat e monitorimit nuk janë të disponueshme, rekomandohet që shkollat të veprojnë në mënyrë proaktive për ta minimizuar ekspozimin dhe për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve dhe personelit shkollor", bëhet e ditur në kumtesë.

Udhëzimet shoqëruese të praktikave të mira mbi përmirësimin e cilësisë së ajrit në ambientet e mbyllura në shkolla përcaktojnë masa praktike për zvogëlimin e ekspozimit ndaj ndotësve. Udhëzimet në fjalë, theksojnë ventilimin adekuat, përdorimin e agjentëve pastrues me toksicitet të ulët, pastrimin e lagësht për të kufizuar pluhurin, përdorimin dhe mirëmbajtjen e rregullt të pastruesve të ajrit dhe vendosjen e tapeteve në hyrje të shkollave. Protokolli gjithashtu promovon barrierat e gjelbra si gardhet, vendosjen e bimëve që rriten në ambientet e mbyllura të shtëpisë, kufizimin e trafikut dhe qarkullimin e mjeteve motorike në zonat pranë hyrjeve të shkollave.

Udhëzimet janë hartuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe partnerët tjerë, me mbështetjen e Kombeve të Bashkuara. Ato pasqyrojnë Politikat dhe rekomandimet e UNICEF-it për mbrojtjen e fëmijëve nga efektet e dëmshme të ndotjes së ajrit dhe ndikimi i saj ndaj shëndetit të fëmijëve, të cilat janë të parapara në suaza të proceseve nacionale të planifikimit dhe vendimmarrjes.

Këto masa ndihmojnë në sigurimin që ndotja e ajrit dhe ndikimi i saj ndaj shëndetit të fëmijëve të prioritizohen në Kontributet e përcaktuara në nivelin nacional (NDC), Planet nacionale të përshtatjes, planet nacionale dhe lokale të cilësisë së ajrit dhe planet nacionale shëndetësore. Për më shumë informacione për atë se si familjet mund t’i mbrojnë fëmijët nga ndotja e ajrit, shihni: Çka është ndotja e ajrit dhe si ta mbroni familjen tuaj prej saj. fc/

Foto: UNICEF

Остани поврзан