• среда, 01 април 2026

UNHCR: Mbi 200.000 persona kanë ikur nga Libani në Siri që nga fillimi i luftës

UNHCR: Mbi 200.000 persona kanë ikur nga Libani në Siri që nga fillimi i luftës

Gjenevë, 31 mars 2026 (MIA) - Më shumë se 200.000 persona, nga të cilët shumica më e madhe janë sirianë, e kanë kaluar kufirin mes Libanit dhe Sirisë që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hezbollahut në fillim të marsit - publikoi sot Agjencia për refugjatë e KB-së (UNHCR).

"Pothuajse një muaj pas intensifikimit të armiqësive në Liban, Siria po përballet me rritje të madhe të numrit të personave që e kalojnë kufirin nga Libani. Mes datave 2 dhe 27 mars më shumë se 200.000 persona kanë hyrë në Siri përmes tre vendkalimeve zyrtare", deklaroi Aser al-Madaien, përfaqësuese e përkohshme e UNHCR-së në  Siri, në videokonferencë nga Damasku.

"Këto shifra janë dhënë nga autoritetet dhe të konfirmuara nga kolegët tanë në terren", shtoi ajo duke sqaruar se "shumica e madhe" e atyre njerëzve, përkatësisht pothuajse 180.000 janë sirianë", veçanërisht refugjatë sirian, të cilët janë arratisur nga vendi dhe gjetën strehim në Liban dhe tani sërish janë detyruar të ikin.

"Kufirin sirian gjithashtu e kaluan edhe mbi 28.000 libanezë. Shumica ikin nga bombardimi izraelit intensiv. Ata mbërrijnë të lodhur, të traumatizuar dhe me pak gjëra", shtoi përfaqësuesja e UNHCR-së.

Hezbollahu proiranian më 2 mars e tërhoqi Libanin në luftën rajonale kur filloi sulm ndaj Izraelit si hakmarrje për sulmet izraelito-amerikane në të cilat u vra lideri suprem i Iranit, Ali Hamenei, njoftuan mediat franceze.

Gjatë luftës civile në Siri, që në vitin 2011 filloi si kryengritje popullore kundër shtypjes së regjimit të Bashar al-Asadit, Libani priti më shumë se një milionë refugjatë sirian. Më shumë se gjysmë milionë e atyre refugjatëve u kthyen në Siri pas rënies së Asadit në fund të vitit 2024.

UNHCR kumtoi se numri i njerëzve që ikin nga Libani në Siri mund të arrijë 300.000 deri në 350.000 njerëz, që në masë të madhe do të varet nga zhvillimi i mëtejshëm i ngjarjeve. sa/

Foto: MIA arkivi

Остани поврзан