Uitkof i quajti bisedimet paqësore për Ukrainën "produktive dhe konstruktive"
- Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ukraina zhvilluan bisedime me dhe pa përfaqësues evropianë për mënyrat për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë gjatë tre ditëve të negociatave në Florida.
Uashington, 22 dhjetor 2025 (MIA) – Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Ukraina zhvilluan bisedime me dhe pa përfaqësues evropianë për mënyrat për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë gjatë tre ditëve të negociatave në Florida.
Diskutimet midis negociatorëve ukrainas dhe amerikanë mbuluan garancitë shumëpalëshe të sigurisë, si dhe garancitë e sigurisë amerikane, shkruan i dërguari special i SHBA-së, Stiv Uitkof dhe kryenegociatori i Ukrainës, Rustem Umerov, në postime identike në X.
Ata theksuan se në bisedimet u diskutua edhe për zhvillimin e mëtejshëm të planeve për rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës, ndërsa vendi vazhdon të mbrohet nga pushtimi rus.
"Gjatë tre ditëve të fundit në Florida, delegacioni ukrainas zhvilloi një sërë takimesh produktive dhe konstruktive me partnerët amerikanë dhe evropianë", thuhet në publikimet.
“Ukraina mbetet plotësisht e përkushtuar për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, shtuan ata.
Delegacione ukrainase, ruse dhe evropiane ishin në Majami gjatë fundjavës për të vazhduar negociatat për t'i dhënë fund luftës që Rusia filloi rreth katër vjet më parë, megjithëse nuk u zhvilluan bisedime të drejtpërdrejta midis përfaqësuesve ukrainas dhe rusë.
Përfaqësuesit ukrainas, amerikanë dhe evropianë zhvilluan bisedime javën e kaluar, të dielën dhe të hënën në Berlin, mes presionit të shtuar diplomatik për të gjetur një zgjidhje për konfliktin, dhe negociatorët amerikanë thanë se do t'ua përcjellin rezultatet nga Berlini përfaqësuesve rusë në Miami.
Negociatori rus Kirill Dmitriev, këshilltar i Presidentit rus Vladimir Putin, i përshkroi bisedimet në Miami si "konstruktive" pas raundit të parë të së shtunës.
"Gjatë dy ditëve të fundit në Florida, i dërguari special rus Kiril Dmitriev zhvilloi takime produktive dhe konstruktive me delegacionin amerikan për të çuar përpara planin paqësor të Presidentit Tramp për Ukrainën", tha Uitkof në publikimin në X.
Asnjë nga palët e përfshira nuk zbuloi nëse ishte bërë ndonjë përparim i vërtetë, transmetoi DPA. ls/
Foto: DPA