• четврток, 16 април 2026

U lëshua në përdorim trafostacioni i ri "Centralna" në Shkup me rastin e 20-vjetorit të EVN-së

U lëshua në përdorim trafostacioni i ri

Shkup, 27 mars 2026 (MIA) - Me rastin e shënimit të 20 viteve ekzistim të EVN-së, punës së përkushtuar dhe investimeve në infrastrukturën energjetike, sot në Shkup u lëshua në funksion trafostacioni i ri "Centralna". Objekti infrastrukturor, në ndërtimin e të cilit janë investuar 11 milionë euro, paraqet investim strategjik për furnizim stabil me energji të rajonit qendror të qytetot dhe zgjidhje të nevojave energjetike në rritje.

Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, në fjalimin e saj theksoi se ky objekt është vegël kyçe në sistemin energjetik të kryeqytetit.

"Me krenari të madhe e hapim trafostacionin 'Centralna'. Projekt i cili nuk është vetëm objekt infrastrukturor, por paraqet vegël kyçe në furnizimin stabil me energji të rajonit qendror të qytetit dhe investim strategjik në sigurinë dhe stabilitetin e sistemit energjetik të qytetit të Shkupit. Me fuqinë e vet të instaluar prej 120 megavatëve, ky trasfostacion është vendosur mun atje ku nevojitej më së shumti. Në zonë me zhvillim intensiv urban, konsumatorë të rinj dhe rrjet i cili tashmë e arrinte maksimumin e vet", theksoi Bozhinovska.

Trafostacionet ekzistuese në këtë pjesë të qytetit, ajo theksoi se janë ndërtuar para më shumë se katër dekadave dhe moti kohë e kanë tejkaluar kapacitetin për të cilin janë projektuar. Me lëshumin në përdorim të këtij objekti, Bozhinovska tha se tejkalohet gryka e ngushtë në sistem dhe vendoset pikë e re referimi për cilësi, në realizimin e të cilit ishin përfshirë mbi 30 kompani.

Zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski theksoi se realizimi i një projekti kaq kompleks në qendër të qytetit paraqet arritje të vërtetë arkitektonike që ka imponuar koordinim të madh mes Qeverisë dhe kompanisë.

Potencoi se politika qeveritare është e kahëzuar drejt mbështetjes së tranzicionit energjetik, duke cekur se shteti është i pozicionuar si lider në rajon përmes nismës së kryeminsitrit Hristian Mickoski për qasje të integruar dhe të bashkuar rajonale.

Ambasadori austriak në vend, Martin Pamer shprehi kënaqësi nga bashkëpunimi i deritanishëm, duke e apostrofuar rolin e EVN-së si investimin më të rëndësishëm austriak që kontribuon drejt procesit eurointegrues të ekonomisë së Maqedonisë së Veriut.

Ambasadori paralajmëroi se biznesi austriak është i gatshëm të kontribuojë plotësisht në Maqedoni dhe informoi se nga mesi i prillit kryeministri Mickoski do të qëndrojë në Vjenë, që, sipas tij, do të paraqesë edhe një hap drejt intensifikimit të bashkëpunimit bilateraë në të gjitha nivelet. ab/

Foto: МIА

Остани поврзан