• понеделник, 16 март 2026

Trampi paralajmëroi se do të dërgojë një anije spitalore në Grenlandë

Trampi paralajmëroi se do të dërgojë një anije spitalore në Grenlandë

Uashington, 22 shkurt 2026 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp mbrëmë deklaroi se ai dhe guvernatori i Luizianës, Xhef Landri, kishin rënë dakord të dërgonin një anije spitalore në Grenlandë, një territor danez që për të cilin vazhdimisht përsërit se dëshiron ta aneksojë drejt SHBA-së.

Trampi e publikoi këtë veprim në rrjetet sociale, pak para darkës me guvernatorin republikan në Shtëpinë e Bardhë.

"Në bashkëpunim me Guvernatorin fantastik të Luizianës, Xhef Landr, ne do të dërgojmë një anije spitalore të shkëlqyer në Grenlandë për t'u kujdesur për shumë njerëz që janë të sëmurë dhe për të cilët nuk po kujdesen atje. Ajo është rrugës!!", tha Tramp.

As Shtëpia e Bardhë dhe as zyra e Landrit nuk iu përgjigjën pyetjeve nëse anija ishte kërkuar nga Danimarka apo Grenlanda dhe cilët të sëmurë kishin nevojë për ndihmë.

Paralajmërimi i Trampit erdhi disa orë pasi Komanda daneze e Arktikut kumtoi se është evakuuar një anëtar i ekuipazhit të një nëndetëseje amerikane, i cili kishte kërkuar ndihmë mjekësore emergjente, shtatë milje detare nga kryeqyteti i Grenlandës, Nuk.

Nuk është plotësisht e qartë se cila është lidhja e Guvernatorit Landri me rastin. Marina Amerikane ka dy anije spitalore, "Mersi" dhe "Komfort", por asnjëra nuk është e stacionuar në Luiziana.

Mbreti danez Frederik e vizitoi Grenlandën javën e kaluar për herë të dytë brenda një viti, duke kërkuar të tregonte unitet me territorin, si dhe kundërshtim ndaj planeve të Trampit për të blerë ishullin.

Në fund të muajit të kaluar, Grenlanda, Danimarka dhe Shtetet e Bashkuara zhvilluan bisedime për të zgjidhur situatën që ka rritur tensionet brenda NATO-s në muajt e fundit. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

 

Остани поврзан