• четврток, 25 декември 2025

Trajnim simulues i MPB-së mbi lëndimet nga piroteknika – këtë vit zbulohen 155.000 copë, tre herë më shumë se vitin e kaluar

Trajnim simulues i MPB-së mbi lëndimet nga piroteknika – këtë vit zbulohen 155.000 copë, tre herë më shumë se vitin e kaluar

Shkup, 19 dhjetor 2025 (MIA) – Mbi 155.000 copë mjete piroteknike janë zbuluar këtë vit, që është tre herë më shumë krahasuar me vitin e kaluar 2024, tha sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski në trajnimin demonstrues në qendër të Shkupit, organizuar nga MPB në bashkëpunim me Kryqin e Kuq dhe nxënësit nga ShMQSH "Vllado Tasevski", ku përmes simulimit real është zhvilluar trajnim mbi lëndimet nga përdorimi i papërshtatshëm i mjeteve piroteknike, si pjesë e fushatës "Argëtim për një moment, fatale për jetën".

"Kjo është mirë në aspektin e aktivitetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, por keq në aspektin e sasisë së mjeteve të tilla në përdorim. Vetëm këtë muaj janë zbuluar edhe 30.000 copë të tjera, gjë që tregon se masat e intensifikuara po japin rezultate", tha Toshkovski.

MPB, shtoi ai, vepron vazhdimisht, duke ndërmarrë masa represive, por edhe parandaluese.

"Duhet të rrisim ndërgjegjësimin tek qytetarët se piroteknika nuk është e nevojshme për një festë të mirë. Është veçanërisht e rrezikshme kur përdoret piroteknikë e patestuar ose e pakontrolluar, prandaj apelojmë të festohet pa to. E përsëris, këtë vit u zbuluan tre herë më shumë mjete piroteknike krahasuar me vitet e kaluara, që është një njohje e punës së pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Do të vazhdojmë me aktivitete të intensifikuara në periudhën e ardhshme, me theks parandalimin, veçanërisht në shkolla", theksoi Toshkovski.

Në trajnimin demonstrues morën pjesë edhe drejtoresha e Klinikës universitare për kirurgji plastike, Jasmina Gjorgjiovska-Pavllovska dhe kryetari i Kryqit të Kuq, Sait Saiti.

Gjorgjiovska-Pavllovska vuri në dukje se Klinika për kirurgji plastike ka qenë pjesë e fushatës "Festa të sigurta pa përdorimin e piroteknikës" për disa vite me radhë, me qëllim, siç tha ajo, kremtimin e festave pa pasoja.

"Ky ishte një trajnim i vogël që e kemi organizuar për disa vite me radhë, të gjithë së bashku me MPB-në, Klinikën për kirurgji plastike dhe Kryqin e Kuq, me qëllim që të paraqesim një pamje realiste të përdorimit të papërshtatshëm të piroteknikës. Ne, si Klinikë për kirurgji plastike e kemi zbatuar fushatën "Festa të sigurta pa përdorimin e piroteknikës" për nëntë vjet së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme, me qëllim kremtimin e festave së bashku pa asnjë pasojë", theksoi Gjorgjiovska-Pavllovska.

Kryetari i Kryqit të Kuq, Sait Saiti tha se këtë vit bashkëpunimi me MPB-në është zgjeruar dhe se aktivitete të tilla organizohen edhe në qytete të tjera.

"Këtë vit bashkëpunimin me Ministrinë e Punëve të Brendshme e kemi zgjeruar, përveç Shkupit, organizojmë ngjarje të tilla në disa qytete, me pjesëmarrjen e disa sektorëve të Ministrisë së Brendshme, me tendencë që vitet në vijim ta zgjerojmë këtë fushatë edhe më tej. Ne besojmë se fushata të tilla janë të dobishme dhe të frytshme, sepse tashmë po vërejmë një ulje të incidenteve të tilla, ndërsa qëllimi është që vitet e ardhshme të arrijë në sa më shumë mjedise. Si përfaqësues të Kryqit të Kuq, ndiejmë detyrim në kuadër të misionit dhe vizionit tonë të prekim te sa më shumë njerëz, me qëllim parandalimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit", tha Saiti.

Foto: MIA

 

 

Остани поврзан