Takimi Gashi - Jian: Marrëdhëniet dypalëshe me Kinën në frymën e mirëkuptimit të ndërsjellë, respektit dhe bashkëpunimit konstruktiv
- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, u takua me Li Jian, drejtor i përgjithshëm për Çështjet Evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës.
Shkup, 22 dhjetor 2025 (MIA) - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, u takua me Li Jian, drejtor i përgjithshëm për Çështjet Evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Kinës.
Duke i uruar mirëseardhje në Dhomën Ligjvënëse në emër të deputetëve, Kryetari Gashi theksoi se pavarësisht distancës gjeografike, marrëdhëniet dypalëshe mbeten të përzemërta dhe vazhdojnë të zhvillohen në frymën e mirëkuptimit të ndërsjellë, respektit dhe bashkëpunimit konstruktiv.
Ai e përsëriti përkushtimin e vendit ndaj parimit "Një Kinë", përkatësisht njohjen e Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës si qeveria e vetme legjitime e popullit kinez dhe njohjen e Tajvanit si pjesë e patjetërsueshme e territorit kinez.

Në takim Gashi ka informuar se shumica parlamentare mbetet e fokusuar fort në realizimin e qëllimeve kryesore strategjike që kanë mbetur të pandryshuara që nga pavarësia jonë, përkatësisht progresin drejt hapjes së negociatave për anëtarësim të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian.
Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se, megjithëse bashkëpunimi në nivel dypalësh jep rezultate të prekshme në një gamë të gjerë sektorësh, ka hapësirë për thellimin e marrëdhënieve në fushën e turizmit, kulturës dhe tregtisë. U theksua edhe kontributi i vazhdueshëm i Ambasadës Kineze në Shkup në zhvillimin dhe avancimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
U theksua gjithashtu se Grupi parlamentar për Bashkëpunim me Parlamentin e Republikës Popullore të Kinës, i cili është formuar në Kuvend në të gjitha mandatet e mëparshme, është forum për vendosjen, kultivimin dhe thellimin e lidhjeve më të ngushta ndërparlamentare dhe shkëmbimin e mendimeve mbi të gjitha aspektet e punës legjislative midis dy vendeve.
Drejtori i përgjithshëm për Çështjet Evropiane i dorëzoi Gashit një letër urimi nga homologu i tij, Xhao Lexhi, kryetar i Komitetit të Përhershëm të Kongresit Kombëtar Popullor. mb/
Foto: Kuvend