• недела, 22 март 2026

Sulm i ri iranian ndaj shteteve të Gjirit, shpërthime dhe sirena në Doha, Kuvajt, Dubai, Abu Dabi

Sulm i ri iranian ndaj shteteve të Gjirit, shpërthime dhe sirena në Doha, Kuvajt, Dubai, Abu Dabi

Teheran, 2 mars 2026 (MIA) - Irani sot filloi sulm të madh raketor dhe me dronë në disa qytete të Gjirit, duke përfshirë Dohan, Kuvajtin, Dubain, Abu Dabin dhe Bahreinin. Shpërthime të fuqishme janë dëgjuar në tërë rajonin, ndërsa sipas raporteve të para, mbrojtja ajrore u aktivizua në disa vende.

Në Dubai u regjistruan "dy shpërthime të njëpasnjëshme" dhe aeroplanë që fluturonin mbi to. Në kryeqytetin e Katarit, Doha, u dëgjuan të shtëna "mjaft të fuqishme". Në Abu Dabi, u dëgjua një "shpërthim i madh".

Korrespondentët e "Al-Arabia" dhe "Al-Hadath" raportojnë se mbrojtja ajrore e Kuvajtit ka kapur objektiva armike mbi rripin bregdetar. Sirenat e sulmit ajror u dëgjuan përsëri në Kuvajt dhe, sipas informacioneve të pakonfirmuara, tym po ngrihet mbi Ambasadën amerikane.

Në të njëjtën kohë, agjencitë raportuan shpërthime të forta dhe të shumta në Doha, Dubai dhe Abu Dabi, ndërsa tym i dendur po ngrihet mbi zonën Xhufer në Bahrein.

Gjenerali i Brigadës, Mohamed Al-Mansuri, drejtor i Mbrojtjes civile të Kuvajtit, konfirmoi se forcat e armatosura kanë zmbrapsur sulm ajror në veri të vendit.

"Zhurma e shpërthimeve që po dëgjohen në tërë vendin është rezultat i rrëzimit të dronëve dhe raketave armike", tha Al-Mansuri, duke shtuar se sulmet janë ndalur pranë zonave Salva dhe Rumatia dhe se nuk pati viktima. Ndërsa, Ministria e Mbrojtjes e Kuvajtit njoftoi se forcat e mbrojtjes ajrore "kanë kapur në mënyrë efektive një numër të madh objektivash ajrore armike", duke konfirmuar gjithashtu se nuk pati viktima.

Ministria e Punëve të Brendshme e Bahreinit informoi për një zjarr në një anije që po i nënshtrohej mirëmbajtjes në qytetin industrial Salman. Sipas tyre, zjarri u shkaktua nga fragmente të një rakete të rrëzuar. Një punëtor me prejardhje aziatike u vra në fatkeqësinë, ndërsa dy të tjerë u plagosën rëndë.

Komanda e përgjithshme e Forcave mbrojtëse të Bahreinit njoftoi se sistemet e tyre të raketave kundërajrore iu përgjigjën me sukses sulmeve iraniane.

“Të gjitha sistemet janë në gatishmëri maksimale për të siguruar përgjigje urgjente dhe vendimtare ndaj çdo kërcënimi”, thuhet në kumtesën e tyre.

SHBA-ja, Arabia Saudite dhe vendet e tjera arabe lëshuan deklaratë të përbashkët, duke dënuar sulmet iraniane. Ata thanë se sulmet janë orientuar ndaj territoreve sovrane, civilëve të rrezikuar dhe infrastrukturës së dëmtuar.

“Këto sulme paraqesin përshkallëzim që kërcënon stabilitetin rajonal. Sulmi ndaj civilëve dhe vendeve që nuk janë të përfshira në luftë është sjellje e papërgjegjshme dhe destabilizuese”, thuhet në kumtesë.

Aty konfirmohet pozita e vetme në mbrojtjen e sovranitetit dhe theksohet e drejta për vetëmbrojtje, duke lavdëruar bashkëpunimin e mbrojtjes ajrore, e cila parandaloi humbje më të mëdha të jetëve.

Paraprakisht, ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të Këshillit për bashkëpunim të Gjirit i dënuan sulmet iraniane në video takim urgjent, duke i quajtur ato “të turpshme dhe të pajustifikuara”.

Ata e riafirmuan të drejtën e shteteve anëtare për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe për të përdorur të gjitha burimet në dispozicion në mbrojtjen e sigurisë dhe stabilitetit të tyre, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së sigurisë të rajonit dhe banorëve të tij. bsh/

Foto: EPA

Остани поврзан