Studimi: Lufta në Ukrainë gjeneroi 311 milionë tonë metrikë dioksid karboni
- Lufta katërvjeçare e Rusisë kundër Ukrainës jo vetëm që ka vrarë dhe plagosur qindra mijëra njerëz, por ka shkaktuar edhe dëm serioz në mjedisin jetësor dhe klimën, tregojnë hulumtimet e reja.
Berlin, 24 shkurt 2026 (MIA) - Lufta katërvjeçare e Rusisë kundër Ukrainës jo vetëm që ka vrarë dhe plagosur qindra mijëra njerëz, por ka shkaktuar edhe dëm serioz në mjedisin jetësor dhe klimën, tregojnë hulumtimet e reja.
Që nga shkurti i vitit 2022, rreth 311 milionë tonë metrikë ekuivalent dioksidi karboni janë emetuar si rezultat i konfliktit, treguan llogaritjet e Iniciativës për gazrat serrë nga lufta (IGGAW) të publikuara sot.
Kjo është afërsisht gjysma e emetimeve vjetore të gazrave serrë të prodhuara nga ekonomia më e madhe e Evropës, Gjermania, raportoi DPA.
Më shumë se një e treta, ose 37 për qind e emetimeve vijnë direkt nga aktivitetet ushtarake, duke përfshirë sasitë e mëdha të kerozinës, naftës që digjen nga aeroplanët luftarakë, anijet luftarake dhe tanket, theksohet në studim.
Zjarret në pyje të shkaktuara nga lufta përbëjnë pothuajse një të katërtën e emetimeve të përgjithshme. Shumë zjarre në pyje dhe zjarre të bimësisë së ulët kanë shpërthyer përgjatë ose afër vijave të frontit dhe në rajonet kufitare.
Ukraina po kërkon kompensim nga Rusia për dëmet e shkaktuara nga lufta që lidhen me klimën, me qëllim që të financohet rikonstruimi i qëndrueshëm ekologjik.
Në Konferencën e KB-së për Ndryshimet Klimatike në Brazil në nëntor, Kievi e vlerësoi kërkesën e saj në 57 miliardë dollarë. Kërkesat duhet t'i dorëzohen Regjistrit të Dëmeve për Ukrainën në Këshillin e Evropës.
Foto: DPA