Shefja e FMN-së paralajmëron: Lufta në Lindjen e Mesme çon deri në çmime më të larta dhe rritje më të ngadaltë
- Lufta në Lindjen e Mesme do të çojë deri në inflacion më të lartë dhe rritje më të ngadaltë globale, deklaroi dje shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva, para publikimit të planifikuar të parashikimit për ekonominë botërore.
Uashington, 7 prill 2026 (MIA) - Lufta në Lindjen e Mesme do të çojë deri në inflacion më të lartë dhe rritje më të ngadaltë globale, deklaroi dje shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva, para publikimit të planifikuar të parashikimit për ekonominë botërore.
"Lufta ka shkaktuar çregullimin deri më tani më të madh të rezervave globale të energjisë pasi që bllokada iraniane e Ngushticës së Hormuzit, kyçe për transportin e një të pestës së naftës dhe gazit botëror, e ka ndërprerë prodhimin e miliona barrelë nafte. Madje edhe nëse konflikti zgjidhet shpejt, FMN-ja do ta ulë parashikimin e saj për rritje ekonomike dhe do t'i rrisë parashikimet për inflacion", deklaroi drejtoresha ekzekutive e FMN-së.
Pritet që lufta të dominojë në diskutimet mes përfaqësuesve financiar nga gjithë bota në takimet pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore të Uashington javën e ardhshme.
Më 14 prill, Fondi duhet të publikojë një seri skenaresh, ndërsa në fund të marsit tashmë ka sinjalizuar për ulje të mundshme të parashikimeve, duke theksuar tronditjen asimetrike të luftës dhe kushtet më të rrepta financiare.
Georgieva tha se pa luftën, FMN-ja kishte pritur një përmirësim të lehtë në parashikimin e saj të rritjes globale prej 3.3 për qind në vitin 2026 dhe 3.2 për qind në vitin 2027, ndërsa ekonomitë vazhduan të rimëkëmbeshin nga pandemia.
"Në vend të kësaj, të gjitha rrugët tani çojnë në çmime më të larta dhe rritje më të ngadaltë. Jemi në një botë me pasiguri të shtuar", tha Georgieva, duke përmendur tensionet gjeopolitike, përparimet teknologjike, tronditjet klimatike dhe ndryshimet demografike.
Kjo do të thotë që sapo të rimëkëmbemi nga kjo tronditje, shtoi ajo, duhet t'i mbajmë sytë hapur për atë të radhës.
Georgieva gjithashtu theksoi se lufta kishte ulur furnizimet globale të naftës me 13 për qind, me efektin që u përhap në dërgesat e naftës dhe gazit dhe zinxhirët e furnizimit të lidhur me të, siç janë heliumi dhe plehrat.
Edhe një fund i shpejtë i armiqësive dhe një rimëkëmbje e shpejtë do të rezultonte në një ulje "relativisht të vogël" të parashikimit të rritjes dhe një rritje të parashikimit të inflacionit, shtoi ajo, dhe nëse lufta vazhdon, efekti në inflacion dhe rritje do të ishte më i madh.
Vendet e varfra dhe të cenueshme pa rezerva energjie do të goditeshin më rëndë, shtoi Georgieva, duke vënë në dukje se shumë vende kanë pak ose aspak hapësirë fiskale për të ndihmuar popullsinë e tyre të përballojë rritjen e çmimeve të shkaktuara nga lufta, gjë që nga ana tjetër rrit rrezikun e trazirave sociale.
Georgieva tha se disa vende kishin kërkuar tashmë ndihmë financiare, por nuk i përmendi ato. Ajo tha se FMN-ja mund të zgjerojë disa programe ekzistuese huadhënieje për të përmbushur nevojat e vendeve dhe deri në 85 për qind e anëtarëve të FMN-së janë importues të energjisë.
Subvencionet e përhapura të energjisë nuk janë përgjigjja, shtoi ajo, duke i nxitur politikëbërësit të shmangin pagesat qeveritare që mund të nxisin më tej presionet inflacioniste.
"Edhe nëse lufta do të mbaronte sot, ajo do të kishte ende një ndikim negativ në pjesën tjetër të botës", paralajmëroi ajo.
Ndër të tjera, Programi Botëror i Ushqimit (WFP) ka bërë të ditur në mesin e marsit se miliona njerëz do të përballeshin me uri akute nëse lufta do të vazhdonte deri në qershor.
Georgieva tha se FMN-ja nuk sheh ende një krizë ushqimore, por shtoi se një e tillë mund të ndodhte nëse furnizimet me plehra do të ndërpriteshin. mb/
Foto: MIA