• четврток, 25 декември 2025

Shënohet Dita e mësimit të gjuhës turke

Shënohet Dita e mësimit të gjuhës turke

Shkup, 18 dhjetor 2025 (MIA) - Me rastin e 21 dhjetorit - Ditës së mësimit të gjuhës turke, sot në hapësirat e Ministrisë së Marrëdhënieve mes Komuniteteve u mbajt një ceremoni kushtuar rëndësisë së gjuhës amtare dhe rolit të saj në ruajtjen e identiteti kulturor dhe vlerave multikulturore në Republikën e Maqedonisë së Veriut. 

Në ngjare fjalim mbajtën zëvendëskryeministri dhe ministër i Marrëdhënieve mes Komuniteteve, Ivan Stoilkoviq, i cili theksoi rëndësinë e kultivimit dhe promovimit të vazhdueshëm të mësimdhënies në gjuhën amtare, si dhe respektit të ndërsjellë, bashkëpunimit dhe mbështetjes mes komuniteteve

"Kjo ditë le të jetë një kujtesë se nëpërmjet gjuhës ne transmetojmë vlera, traditë dhe trashëgimi kulturore te brezat e ardhshëm, duke ndërtuar një shoqëri të bazuar në mirëkuptim, respekt dhe miqësi", theksoi Stoilkoviq, duke uruar 21 dhjetorin - Ditën e mësimit të gjuhës turke. 

Ceremonia u pasurua me një program të përshtatshëm kulturo-artistik, të interpretuar nga nxënës të SHFK "Sande Shterjoski" nga Kërçova dhe SHF "Draga Stojanovska" - fshati Dërzhilovë, të cilët prezantuan pasurinë e gjuhës dhe kulturës turke përmes këngëve, recitimeve dhe numrave muzikorë.

Mësimi në gjuhën turke si gjuhë amtare në vendin tonë ka një traditë të gjatë dhe domethënëse, që daton që nga viti 1944, kur në shkollën fillore "Tefejuz" në Shkup u hodhën themelet e para të mësimdhënies së organizuar në gjuhën turke.

Me rastin e Ditës së mësimit të gjuhës turke, si dhe festave të Vitit të Ri që po vijnë, Ministria e Marrëdhënieve mes Komuniteteve siguroi dhurata të përshtatshme për fëmijët pjesëmarrës në program. qa/

Foto: Ministria e Marrëdhënieve mes Komuniteteve

 

Остани поврзан