• четврток, 25 декември 2025

Rute: Qëllimi kryesor i garancive të sigurisë është që Ukraina asnjëherë më të mos jetë viktimë e sulmit

Rute: Qëllimi kryesor i garancive të sigurisë është që Ukraina asnjëherë më të mos jetë viktimë e sulmit

Bruksel, 22 dhjetor 2025 (MIA) – Qëllimi kryesor i garancive të sigurisë për Ukrainën është që të sigurohet që ai vend asnjëherë nuk do të bëhet viktimë e sulmit, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute. 

"Ne duhet të sigurohemi që Ukraina të mos sulmohet më kurrë pas arritjes së një armëpushimi ose marrëveshjeje paqeje. Putini duhet ta kuptojë se një sulm tjetër do të ishte fatal për të", theksoi Rute për gazetën gjermane “Bild”.

Ai shtoi se ekzistojnë tre nivele garancish sigurie për të arritur këtë qëllim. Niveli i parë janë, siç deklaroi ai, forcat e armatosura ukrainase, të cilat duhet të jenë në gjendje të shkëlqyer dhe të afta për të mbrojtur vendin edhe pas luftës ose një armëpushimi afatgjatë. Rute tregoi se niveli i dytë i garancive është Koalicioni i të përgatiturve, i udhëhequr nga Franca dhe Britania e Madhe, me pjesëmarrjen e Gjermanisë dhe vendeve të tjera. Ai theksoi se disa vende evropiane kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të dërguar trupa, megjithëse nuk dha detaje. Sipas Rute, niveli i tretë i garancive përfaqësohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti i të cilave Donald Tramp shprehu gatishmërinë e tij për ta bërë këtë në gusht.

Shefi i NATO-s theksoi se partnerët tani punojnë në atë që t’i kombinojnë këto tre elemente që presidenti rus të kuptojë qartë se asnjëherë më nuk do të duhej ta sulmojë Ukrainën. 

Rute tha se është i sigurt se Trampi është absolutisht i përkushtuar dhe i përqendruar në përfundimin e luftës. 

"Ai ishte i vetmi i aftë ta sillte Putinin në tryezën e negociatave dhe i vetmi që në fund të fundit mund ta detyronte atë të bënte paqe. E respektoj shumë për këtë", theksoi sekretari i përgjithshëm i Aleancës.

Rute shtoi se nuk beson se amerikanët në tërësi do të ndalojnë plotësisht ndihmën për Ukrainën, as se SHBA-ja mund të tërhiqet nga NATO. Siç deklaroi ai, është absolutisht i bindur se evropianët do të jenë në gjendje të mbështeten te Trampi në një situatë krize.

I pyetur pse është kaq e vështirë të arrihet paqja në Ukrainë, Rute tha se, sipas tij, arsyeja për këtë është presidenti rus Putin, i cili, siç tha ai, është "gati të sakrifikojë 1,1 milionë qytetarë të tij". Sipas Rute, Putini ka bërë shumë pak përparim dhe fitime minimale territoriale këtë vit.

Funksionari i NATO-s theksoi se ekzistojnë dy sfida kryesore, ndërsa ato janë nevoja urgjente që vendet anëtare t’i rrisin shpenzimet për mbrojtje dhe prodhimtari të armëve, si dhe të sigurojnë që Ukraina të mbetet sa më shumë e mundur e fuqishme gjatë luftës. 

"Nëse Rusia realizon kontrollin mbi të gjithë Ukrainën, kjo do të ketë pasoja të mëdha për NATO-n, ndërsa dhe do të na duhet të ndajmë shumë më tepër sesa kemi rënë dakord në Hagë. Nëse i përmbahemi këtyre qëllimeve, atëherë do të mbetemi përpara Rusisë dhe do të jemi shumë më të fortë", përfundoi Rute. fc/

Foto: EPA

Остани поврзан