• четврток, 25 декември 2025

Reformë gjithpërfshirëse ligjore në pjesën e drejtës së punës paralajmërohet në vitin 2026

Reformë gjithpërfshirëse ligjore në pjesën e drejtës së punës paralajmërohet në vitin 2026

Shkup, 18 dhjetor 2025 (MIA) – Një grup i ligjeve nga e drejta e punës si Ligji për marrëdhënie pune, Ligji për punësim dhe siguri në rast të papunësisë dhe Ligji për zgjidhje paqësore të kontesteve të punës do të pësojnë ndryshime vitin e ardhshëm. Kompetentët paralajmërojnë vit të reformës gjithëpërfshirëse ligjore në pjesën e të drejtës së punës me çka do të përmirësohet pjesa e mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve. 

Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski sot zbuloi se në fokus janë disa ligje. Paralajmëron se viti 2026 do të jetë vit dinamik në sferën e të drejtës së punës. 

“Do të miratohen disa ligje të reja, ndërsa disa ligje ekzistuese do të përshtaten me direktivat evropiane. Me këtë presim përmirësim të ndjeshëm të kornizës ligjore në fushën e së drejtës së punës në Republikën e Maqedonisë, gjë që do të kontribuojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës, veçanërisht në fushën e mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve”, deklaroi Risteski sot para fillimit të konferencës kushtuar punës dinjitoze, e cila u mbajt në Fakultetin Juridik në Shkup me mbështetjen e Qendrës për Edukim Klinik për të Drejtën e Punës dhe të Drejtën Sociale.

Profesori Llazar Joveski i cili është udhëheqës i Katedrës së të Drejtës së Punës dhe Sociale thotë se shumë nga këto ligje tashmë janë analizuar shkencërisht dhe duhet të ndryshohen, plotësohen ose të miratohen si zgjidhje të reja ligjore. 

“Ky është një grup prej disa ligjeve që duhet të ndryshohen dhe plotësohen. Këto përfshijnë Ligjin për marrëdhëniet e punës, Ligjin për punësimin dhe sigurimin në rast të papunësisë, si dhe Ligjin për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve të punës. Është gjithashtu e nevojshme të merret në konsideratë drejtimi në të cilin do të zhvillohen zgjidhjet ligjore që lidhen me mbrojtjen nga ngacmimi psikologjik dhe seksual në vendin e punës. Kjo është një gamë e gjerë aktesh ligjore. Besoj se viti 2026 do të jetë viti i reformës gjithëpërfshirëse ligjore dhe shpresoj që të gjitha këto ligje, si dhe të tjera që nuk i kam përmendur, do të rrumbullakosen dhe do të miratohen si zgjidhje të reja ose të përmirësuara ligjore, tha Jovevski.

Beson se nga konferenca e sotme do të dalin zgjidhje konkrete për sfidat me të cilat për momentin përballet shteti. 

“Kemi mbi 100 mijë njerëz në ekonominë gri që nuk janë të regjistruar. Prandaj duhet të punojmë në këtë drejtim. Duhet të punojmë në forcimin e dialogut social nga aspekti i përfshirjes së drejtpërdrejtë të partnerëve socialë në zgjidhjen e problemeve të caktuara thelbësore, çështjeve që lidhen me kërkesa të caktuara monetare, pagat, kompensimet e pagave dhe të drejtat e tjera të punëtorëve”, thekson Jovevski.

Nga Inspektorati i Punës thonë se që të arrihet efikasitet më i madh është kyçe të rriten kapacitetet e Inspektoratit dhe të rriten gjobat të cilat shqiptohen. 

“Në çdo vend të botës, gjobat janë më të larta se në vendin tonë. Gjobat më të mëdha që mund të vendosim janë 350, 600 dhe 1.000 euro, që do të thotë se nëse paguhen brenda tetë ditëve, gjysma e shumës do të paguhet, pra gjoba më e vogël do të ishte 170, 300 dhe 500 euro. Nuk mund të pajtohemi me punëdhënësit me gjobat minimale, sepse nëse analizojmë në detaje se sa ankesa ka, do të shohim se mbi 50 për qind e punëdhënësve që shkelin të drejtat e punëtorëve e përsërisin të njëjtën gjë. Prandaj, gjobat duhet të jenë më të rrepta, pra personat përgjegjës ndoshta duhet të pengohen të menaxhojnë kompanitë e tyre për një periudhë të caktuar. Nëse llogarisim se sa punëdhënës ka vetëm në Shkup, atëherë duhet të shkojmë te një punëdhënës për inspektim një herë në pesë vjet. Vetëm nëse punojmë me ankesat e punëtorëve për shkelje të të drejtave të tyre të punës, nuk mund të ia dalim vetëm me ankesa, që do të thotë se kapacitetet e Inspektoratit duhet të forcohen", thotë Lulzim Farizi nga Inspektorati i Punës.

Për momentin në Inspektoratin e Punës ka rreth 120 inspektorë prej të cilëve rreth 80 janë në pjesën për marrëdhënie pune dhe 45 në departamentin e shëndetit gjatë punës. fc/

Foto: MIA 

 

Остани поврзан