Qeveria britanike: Irani është shtet armiqësor, prioritet është tranzicioni paqësor i pushtetit
- – Mbretëria e Bashkuar dëshiron të shohë “tranzicion paqësor” të pushtetit në Iran, deklaroi ministrja e Transportit, Hajdi Aleksandar.
Londër, 11 janar 2026 (MIA) – Mbretëria e Bashkuar dëshiron të shohë “tranzicion paqësor” të pushtetit në Iran, deklaroi ministrja e Transportit, Hajdi Aleksandar.
Ajo theksoi se prioritet i Londrës është “ndërprerja e dhunës”. Në një emision si mysafire në kanalin televiziv “Skaj Njuz”, Aleksandar theksoi se Qeveria britanike gjithnjë e ka llogaritur Iranin si shtet armiqësor i cili përfaqëson kërcënim për sigurinë e Lindjes së Mesme dhe më gjerë.
“Situata është shqetësuese dhe do të dëshiroja në të ardhmen të shohim tranzicion paqësor ku njerëzit do të mund të gëzojnë liritë themelore dhe kthimin e vlerave të vërteta demokratike në zemër të Iranit”, deklaroi Aleksandar.
Nga ana tjetër, liderja e Partisë opozitare Konservatore, Kemi Badenoh, shprehu qëndrim më të ashpër, duke thënë se do të ishte e drejtë që SHBA-ja të ndihmojë në rrëzimin e udhëheqësisë së Republikës Islamike. Ajo njoftoi se do ta mbështeste përfshirjen e Forcave Ajrore Mbretërore (RAF) nëse është e nevojshme, si pjesë e koalicionit më të gjerë ndërkombëtar.
“Irani me kënaqësi do ta fshinte Mbretërinë e Bashkuar nëse ndjen se mund të kalojë pa ndëshkuar. Nuk kam problem me largimin e regjimit i cili po bën përpjekje të na bëjë dëm”, deklaroi Badenoh për Bi-Bi-Si, duke përkujtuar në sulmet e fundit ajrore në Siri.
Ministrja britanike e Punëve të Jashtme, Ivet Kuper, e lavdëroi guximin e protestuesve, veçanërisht të grave të reja, duke theksuar se liria e fjalës dhe tubimet paqësore janë të drejta themelore.
Protestat në Iran, të cilat filluan më 28 dhjetor për shkak të krisës ekonomike, u rritën në sfidën më serioze për regjimin gjatë disa viteve të fundit. Edhe pse shteti vendosi terr informativ, xhirime nga përleshjet vazhdimisht po shfaqen në rrjetet sociale. Sipas “Hjuman rajt aktivist”, numri i të vdekurve u rrit në 116, ndërsa janë arrestuar mbi 2.600 persona. fc/
Foto: DPA