• четврток, 25 декември 2025

Promovohet “Qendra e Eko-Inovacionit” në Fakultetin Ekonomik – Prilep: arsim, inovacion dhe ekonomi qarkore në praktikë

Promovohet “Qendra e Eko-Inovacionit” në Fakultetin Ekonomik – Prilep: arsim, inovacion dhe ekonomi qarkore në praktikë

Shkup, 18 dhjetor 2025 (MIA) - Kur flasim për tranzicion të gjelbër, nuk flasim vetëm për politika dhe strategji, por për dije, aftësi dhe njerëz. Këto hube janë vende ku të rinjtë jo vetëm mësojnë, por krijojnë zgjidhje për të ardhmen dhe bëhen bartës aktivë të ndryshimeve të qëndrueshme,” deklaroi sot zëvendësministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ane Lashkoska, në ngjarjen përmbyllëse të projektit "Qendra e Eko-Inovacionit", që u zbatua me mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, dhe u mbajt në ambientet e Fakultetit Ekonomik në Prilep.

Në kuadër të ngjarjes u prezantuan rezultatet e projektit, laboratori i sapoformuar për eko-inovacione, si dhe pajisjet dhe eko-produktet e punuara nga studentët dhe stafi mësimor. “Qendra e Eko-Inovacionit” përfaqëson një hapësirë akademike bashkëkohore që mundëson zbatimin e parimeve të ekonomisë qarkore, teknologjive 3D dhe praktikave të qëndrueshme, përmes një cikli të plotë – nga selektimi dhe riciklimi i plastikës, deri te ekstrudimi i filamentit dhe printimi 3D.

Llashkoska theksoi se iniciativa të tilla kanë rol kyç në lidhjen e arsimit, inovacionit dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor, duke nënvizuar rëndësinë e zbatimit praktik të njohurive dhe përfshirjes aktive të të rinjve në tranzicionin e gjelbër.

Ajo shtoi se mbështetja për projektin “Qendra e Eko-Inovacionit” është pjesë e angazhimeve të Ministrisë për zhvillimin e aftësive të gjelbra, zbatimin e teknologjive inovative dhe nxitjen e modeleve qarkore të biznesit, në përputhje me politikat evropiane dhe Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane.

U theksua posaçërisht roli aktiv i studentëve, të cilët përmes punëtorive dhe punës praktike morën pjesë në zhvillimin dhe prodhimin e eko-produkteve, duke fituar njohuri praktike dhe kompetenca të nevojshme për tregun bashkëkohor të punës, shtohet në kumtesë.

Me fjalime përshëndetëse u drejtuan edhe prof.dr.Monika Angeloska-Diçovska dhe dekane e fakultetit, prof. dr. Tatjana Spaseska. 

"Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor mbetet partner i përkushtuar në mbështetjen e projekteve që kontribuojnë në arsim të qëndrueshëm, inovacione dhe afrimin me standardet evropiane për ekonomi të gjelbër dhe qarkore", shtohet në kumtesë. fc/

Foto: MMJPH

Остани поврзан