Presidentja e Kosovës, Osmani priti komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta e NATO-s në Napoli, Admiralin Xhorxh M. Uikof
- Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot e priti komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta e NATO-s në Napoli, admiralin Xhorxh M. Uikof, me rastin e marrjes së detyrës së tij në krye të një prej komandave më të rëndësishme strategjike të Aleancës Veriatlantike.
Prishtinë, 12 janar 2026 (MIA) - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot e priti komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta e NATO-s në Napoli, admiralin Xhorxh M. Uikof, me rastin e marrjes së detyrës së tij në krye të një prej komandave më të rëndësishme strategjike të Aleancës Veriatlantike.
Presidentja Osmani, siç njoftuan nga Kabineti i saj, e uroi Admiralin Uikof për marrjen e detyrës së re, duke i dëshiruar suksese në udhëheqjen e Komanda e Forcave të Përbashkëta e NATO-s në Napoli dhe duke shprehur besimin e saj të plotë në lidershipin e tij dhe në rolin kyç që kjo komandë luan për sigurinë euroatlantike, stabilitetin rajonal dhe paqen ndërkombëtare.
Gjatë takimit, Osmani ritheksoi mirënjohjen e Republikës së Kosovës ndaj NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rolin vendimtar dhe të pazëvendësueshëm që kanë luajtur dhe vazhdojnë të luajnë në garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë që nga viti 1999. Në këtë kontekst, Presidentja shprehu vlerësim të veçantë për misionin e KFOR-it, si forcë e besueshme parandaluese dhe garantuese e sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa asnjë dallim.
Presidentja e Kosovës konfirmoi përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit me KFOR-in he theksoi se Kosova mbetet një partner i besueshëm, i aftë dhe kontribuues për sigurinë dhe stabilitetin rajonal, e përkushtuar fuqishëm ndaj vlerave të paqes, demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Në këtë frymë, Osmani potencoi rreziqet nga aktet destabilizuese të Serbisë dhe mungesën e llogaridhënies nga ana e saj për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it, sulmin terrorist, respektivisht agresionin në Banjskë dhe sulmin kinetik në kanalin Ibër-Lepenc. bsh/
Foto: Kabineti i presidentes Osmani