Posta elektronike dhe terminale për shërbime – mjete të reja për komunikim më të lehtë mes shtetit dhe qytetarëve në kuadër të SMART/MK 2030
- Në kuadër të Strategjisë kombëtare për zhvillim të TIK - SMART/2030, sot u prezantuan dy mjete të reja digjitale që do të përshpejtojnë komunikimin mes shtetit dhe qytetarëve: Posta elektronike dhe terminalet e shërbimeve digjitale. Këto zgjidhje janë pjesë e strategjisë për një shtet modern, transparent dhe efikas digjital, i cili bazohet në katër shtylla kryesore - infrastrukturë, aftësi digjitale, e-qeverisje dhe inovacion.
Shkup, 19 dhjetor 2025 (MIA) - Në kuadër të Strategjisë kombëtare për zhvillim të TIK - SMART/2030, sot u prezantuan dy mjete të reja digjitale që do të përshpejtojnë komunikimin mes shtetit dhe qytetarëve: Posta elektronike dhe terminalet e shërbimeve digjitale. Këto zgjidhje janë pjesë e strategjisë për një shtet modern, transparent dhe efikas digjital, i cili bazohet në katër shtylla kryesore - infrastrukturë, aftësi digjitale, e-qeverisje dhe inovacion.
Në konferencën e sotme, "Transformimi i të ardhmes. Strategjia digjitale për shoqëri moderne", ministri për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, theksoi thelbin e Strategjisë kombëtare për zhvillim të TIK-ut - SMART/MK 2030, logjikën e saj dhe zbatimin konkret, duke nënvizuar se ajo bazohet në katër shtylla të harmonizara me Epokën digjitale evropiane.
"Strategjia i lidhë infrastrukturën, njerëzit, institucionet dhe ekonominë në një sistem koherent", tha Andonovski, duke shtuar se qëllimi është një shtet digjital efikas, i qasshëm dhe evropian.
Shtylla e parë ka të bëjë me infrastrukturën moderne të TIK-ut dhe lidhshmërinë, e cila është parakusht për qasje të barabartë dhe zhvillim ekonomik. Në fokus janë rrjeti me cilësi të lartë të internetit me brez të gjerë, lidhshmëria 5G dhe mbyllje të hendekut ndërmjet zonave urbane dhe rurale. Shtylla e dytë janë njerëzit, sepse transformimi digjital nuk ka kuptim nëse qytetarët nuk munden, nuk dinë ose nuk ndihen të sigurt për të përdorur shërbimet digjitale.

Shtylla e tretë është e-qeverisja dhe shërbimet publike digjitale, të cilat duhet të sigurojnë një administratë më efikase, më transparente dhe më pak burokratike.
"Këtu digjitalizimi nuk është një masë teknike, por një mjet për qeverisje më të mirë", theksoi Andonovski.
Shtylla e katërt ka të bëjë me bizneset, inovacionet dhe teknologjitë e reja si nxitës të konkurrueshmërisë dhe produktivitetit, ambicie të qartë për ndërtimin e intelegjencës artificiale dhe të dhënat në zhvillimin ekonomik, të rritet pjekuria digjitale e kompanive dhe të mbështeten startapët dhe inovacionet.
Andonovski njoftoi dy projekte kyçe që do ta përshpejtojnë transformimin digjital. Posta e parë elektronike, një platformë e centralizuar për komunikim të sigurt dhe juridikisht të vlefshëm midis shtetit dhe qytetarëve, e disponueshme përmes portalit kombëtar uslugi.gov.mk. Përmes postës elektronike, qytetarët do të mund të pranojnë dokumente zyrtare, njoftime, vendime dhe vërtetime drejtpërdrejt në profilin e tyre digjital, me dëshmi të pranimit dhe siguri të plotë juridike.
Projekti i dytë janë Terminalet e shërbimeve, kioska digjitale që do të vendosen në lokacione të frekuentuara në të gjithë vendin dhe do të jenë të disponueshme 24/7. Përmes tyre, qytetarët do të mund të identifikohen me letërnjoftim ose pasaportë, të kenë qasje në portalin e shërbimeve elektronike, të kryejnë pagesa dhe të marrin dokumente menjëherë në vend. qa/
Foto: MIA