• недела, 22 март 2026

Pas sulmeve ndaj Iranit çmimet e naftës mund të shpërthejnë

Pas sulmeve ndaj Iranit çmimet e naftës mund të shpërthejnë

Londër, 2 mars 2026 (MIA) - Çmimet e naftës u rritën ndjeshëm këtë mëngjes, ndërsa indekset e bursës ranë në tregtimin e hershëm pasi SHBA-jaCdhe Izraeli nisën sulme ndaj Iranit gjatë fundjavës.

Çmimi i naftës bruto amerikane mbrëmë u rrit deri në 8 për qind, duke arritur rreth 72 dollarë për fuçi, dhe më pas u stabilizua në 71 dollarë. Nafta bruto Brent, që shërben si referencë globale, fillimisht u rrit për mbi 12 për qind, duke arritur rreth 82 dollarë, por më pas u ul nën 78 dollarë. Çmimi i naftës Brent të premten ishte pak më shumë se 73 dollarë për fuçi, shkruan Si-En-En.

Në të njëjtën kohë, indekset e bursës shënuan rënie. Fjuçersat për S&P 500, Nasdaq dhe Dow ranë për rreth një për qind. Nga ana tjetër, fjuçers marrëveshjet për kompanitë e naftës si Ekson dhe Shevron u rritën për rreth dy për qind, ndërsa aksionet e kompanive të industrisë mbrojtëse si Northrop Grumman dhe Lockheed Martin regjistruan rritje të vogla.

Rritja fillestare e çmimeve të naftës, ndonëse e ashpër, ishte kryesisht e pritshme dhe në kuadër me vlerësimet e analistëve për një treg të trazuar, por jo shumë të shqetësuar. Çmimet u rritën gjithashtu në pritje të një sulmi ndaj Iranit. Tregtarët vlerësojnë se rrënimi aktual i tregut do të jetë relativisht jetëshkurtër. Megjithatë, mbetet një pasiguri e konsiderueshme në lidhje me vëllimin dhe kohëzgjatjen e luftës, për të cilën Presidenti Donald Trump la të kuptohet se mund të zgjasë me javë të tëra.

 Analistët paralajmërojnë se trazira të mëtejshme, një vakuum kaotik i pushtetit, sulme që do të ndërprisnin prodhimin ose mbylljeb e zgjatur të ngushticës kyçe të Hormuzit mund të rrisnin çmimin e naftës në 100 dollarë për fuçi ose më shumë. Nëse një skenar i tillë realizohet – kundër të cilit tregu aktualisht po spekulon – çmimet e benzinës mund të shpërthejnë. Kjo mund t’i detyrojë amerikanët të paguajnë një çmim të lartë për ndryshimin e regjimit në Iran dhe të përkeqësojë shqetësimet për shpenzimet e jetesës.

Irani luan një rol kyç në tregun global të naftës. Ai është një prodhues i madh, kontrollon një rrugë detare jetike për transportin e naftës bruto dhe e eksporton në vende me kërkesë të madhe, si Kina. Sipas të dhënave të OPEC, Irani ka rezervat e treta më të mëdha të dëshmuara të naftës në botë.

Ngushtica e Hormuzit, një rrugë e ngushtë ujore përgjatë bregut jugor të Iranit, është rruga kryesore për transportin e naftës bruto nga vendet e pasura me naftë si Arabia Saudite dhe Kuvajti drejt pjesës tjetër të botës. Irani kontrollon anën veriore të ngushticës. Përmes saj kalojnë rreth 20 milionë fuçi naftë çdo ditë, që përbën përafërsisht një të pestën e prodhimit global ditor. Agjencia Amerikane për Informacione Energjetike (EIA) e quan atë “korridor kritik të naftës.”
 
 Gjatë konflikteve të mëparshme me Shtetet e Bashkuara dhe vendet perëndimore, Irani ka kërcënuar se do të mbyllë këtë rrugë jetike ujore. Gjatë konfliktit 12-ditor mes Iranit dhe Izraelit vitin e kaluar, Goldman Saks vlerësoi se çmimet e naftës mund të kalonin 100 dollarë për fuçi në rast të një “rrënimi të zgjatur” në ngushticën.

Ekonomitë aziatike, përfshirë Kinën dhe Indinë, do të ishin veçanërisht të ekspozuara nëse ngushtica e Hormuzit do të mbyllej. Gara e tyre për të siguruar naftë nga burime të tjera mund të rrisë çmimet globale. Edhe një skenar më i butë, ku do të preken vetëm dërgesat iraniane, do të kishte pasoja globale.

Irani është prodhuesi i gjashtë më i madh i naftës në botë, dhe çdo konflikt ushtarak me këtë vend, sipas ekspertëve, do të nënkuptonte një rritje të theksuar të çmimeve të naftës, gjë që rrjedhimisht do të rriste çmimet e benzinës dhe inflacionin e përgjithshëm. ls/

Foto: Iks
 
 
 
 

 

 

Фото:Икс

Остани поврзан