Panel diskutimi "Arti koreografik shqiptar: Dje, sot dhe nesër"
- - Ansambli i Këngëve dhe Valleve Shqiptare "ILIRIDA" nga Shkupi, dje në Shkup nën drejtimin e koreografit, Ilir Loku, për nder të 9 Janarit Ditës Ndërkombëtare të Koreografisë, organizoi panel diskutimi me temë "Arti koreografik shqiptar: Dje, sot dhe nesër".
Shkup, 11 janar 2026 (MIA) - Ansambli i Këngëve dhe Valleve Shqiptare "ILIRIDA" nga Shkupi, dje në Shkup nën drejtimin e koreografit, Ilir Loku, për nder të 9 Janarit Ditës Ndërkombëtare të Koreografisë, organizoi panel diskutimi me temë "Arti koreografik shqiptar: Dje, sot dhe nesër".
Loku në hapjen e panelit potencoi se kjo ngjarje akademiko-kulturore i kushtohet tërësisht artit koreografik shqiptar dhe synon të hapë një hapësirë profesionale dialogu mbi rrugëtimin e koreografisë shqiptare nga trashëgimia tradicionale, te sfidat e së tashmes dhe vizioni për të ardhmen.
Koreografi nga Shkupi gjendjen e realitetit aktual të koreografisë e sheh të ndarë në katër forma kryesore si koreografia e kopjuar e pranishme kryesisht në shkolla, ku vallet mësohen përmes videove në internet, pa udhëzim pedagogjik dhe pa kuptim të motivit apo strukturës koreografike, koreografia nëpër dasma e cila kontribuon për prezentim të valleve popullore para një publiku të gjerë por nga ana tjetër keqpërdoret nga grupe pa formim artisti, koreografia në ansamblet amatore e cila funksionon pa krijimtari të re, duke u mbështetur kryesisht në repertor ekzistues, pa risi metodologjike dhe pa zhvillim artistik dhe koreografia profesionale në ansamblin shtetëror.

"Pavarësisht nivelit institucional mungon udhëheqja profesionale e trupës së valltarëve, çka ndikon në zhvillimin teknik, sigurinë dhe rritjen artistike të ansamblit. Pa një vizion profesional, edukim koreografik dhe mbështetje institucionale, arti koreografik shqiptar rrezikon të mbetet në përsëritje, në vend të zhvillimit", theksoi koreografi Loku.
Koreografi nga Shqipëria, Uesli Alushi, në fjalimin e tij në panel potencoi se koreografia shqiptare rrugëtimin e saj në aspektin profesional e nisi rreth viteve 1950–60, me koreografët e parë që u diplomuan në ish - Bashkimin Sovjetik, kryesisht në Moskë. Në këtë periudhë nisi institucionalizimi i folklorit dhe ngritja e strukturave të mirëfillta për ruajtjen, promovimin dhe trashëgiminë e kësaj pasurie.
"Ngritja e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, në Shqipëri solli një standard tjetër të artit folklorik. Koreografët e parë e fokusuan krijimtarinë e tyre në përpunimin e folklorit dhe ndërthurjen e lëvizjeve folklorike me ato klasike, duke sjellë risi në vallëzimin shqiptar dhe duke e çuar koreografinë në standarde të larta të gjuhës shprehëse dhe qasjes dramaturgjike dhe shprehjes interpretative", potencoi ai.
Alushi, shtoi se janë lënë pas dore aplikimi dhe përfshirja e vallëzimit në kurrikulën kombëtare krahas arteve të tjera si muzika apo arti pamor. Sipas tij në drejtimin e institucioneve të edukimit të koreografisë, Universiteti i Arteve dhe institucionet e tjera kanë nevojë për riformatim, për literaturë, për metoda specifike mbi artin koreografik.
"Prania e koreografisë dhe përfaqësimit intelektual të këtij arti në tryezat shkencore dhe studimet shkencore mbi folklorin, koreografinë dhe aspektet përbërëse të këtij arti kanë pasur regres. Mungon botimi i studimeve të autorëve shqiptarë, duke mbetur vetëm në kuadër të studimeve për mbrojtjen e gradës shkencore nga pedagogët në UART. Ansamblet shtetërore duhet të hapin dyert për krijimtari të reja, për riformatimin e tyre dhe të jenë të hapura për bashkëpunime me koreografë të rinj, duke guxuar dhe duke dalë nga “guacka” shumëvjeçare. Gjithashtu, duhet të ndërtojnë standardet e të drejtës së autorit, duke ndaluar ansamblet amatore të abuzojnë me veprat koreografike të repertorit të Ansamblit Shtetëror, për të ndaluar degradimin e nivelit që këto vepra përfaqësojnë", decid Alushi.
Koreografi nga Kosova, Gëzim Sertollaj gjatë fjalimit të tij potencoi se vallëzimi shqiptar në Kosovë, përpara se të ishte art skenik ka qenë ritual, një formë kodi kulturor i ruajtur bruto ndër shekuj nga vetë populli. Viti 1944, siç u shpreh, shënon një pikë kthese me themelimin e SHKA "Agimi" në Prizren, ku për herë të parë vallëzimi nis të strukturohet si praktikë skenike.
"Me themelimin e Ansamblit Kombëtar Shota, koreografia shqiptare hyn në një fazë më të institucionalizuar. Vendosen standarde të qarta skenike, por edhe kufizime estetike. Sot pavarësisht rritjes së numrit të koreografëve të rinj dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare, produkti koreografik shpesh shfaq shenja stagnimi, përsëritje formash, mungesë rreziku krijues dhe hezitim për të sfiduar standardet e trashëguara", potencoi Sertollaj.
Ai e përmendi kontributin e koreografit autodidakt Enver Futko dhe të koreografit të parë të diplomuar në Kosovë Xhemajli Berisha.
Si vështirësi e adresoi depërtimin në institucionet publike apo struktura të financuara nga shteti për koreografët e rinj me qasje bashkëkohore pasi, sipas tij ekziston një tendencë e heshtur refuzimi, shpesh e justifikuar me argumente si “mosrespektim i traditës”, “mosadaptim me publikun” apo “rrezik estetik”.
Profesori i Universitetit të Arteve në Tiranë, Artan Ibershimi i përgëzoi koreografët për realizimin e panelit dhe zhvillimit të kulturës së debatit për artin koreografik, duke potencuar se komuniteti koreografik e ka emergjente këtë format analize dhe diskutimi për të evidentuar problematikat e krijuara dhe për të reflektuar për mungesën totale të një interesimi të tillë nga institucionet e edukimit dhe ato artistike. Krijimi dhe strukturimi i një poli të tillë profesional, sipas tij, do ta rrisë dinjitetin e përfaqësimit të artit koreografik në mediume edukuese, të cilat shprehin shqetësimet reale të një tregu artistik të çoroditur ekstremisht.

Në këtë aktivitet kulturoro-akademik, që ishte i pari i këtij lloji, morën pjesë dhe diskutuan në mënyrë interaktive artistë, koreografë, pedagogë, studiues, studentë dhe dashamirë të Artit koreografik shqiptar.
Në fund të ngjarjes, nga kryetari i Ansamblit "ILIRIDA", Rufki Loku u ndanë mirënjohje për mbështetësit dhe kontribuesit e këtij eventi.
Foto: Ansambli i Këngëve dhe Valleve Shqiptare "ILIRIDA"