• петок, 20 февруари 2026

Orban: Plani i BE-së për anëtarësim të përshpejtuar të Ukrainës është një qëndrim i hapur për luftë ndaj Hungarisë

Orban: Plani i BE-së për anëtarësim të përshpejtuar të Ukrainës është një qëndrim i hapur për luftë ndaj Hungarisë

Budapest, 11 shkurt 2026 (MIA) – Plani pesëpikësh i Bashkimit Evropian për anëtarësimin e përshpejtuar të Ukrainës është një deklaratë e hapur e luftës ndaj Hungarisë, deklaroi sot kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, duke komentuar shkrimin e portalit "Politiko" me seli në Bruksel për ekzistimin e një plani të tillë.

Orbani deklaroi se "Politiko, gazeta zyrtare e elitës së Brukselit", ka publikuar planin e ri të luftës së Brukselit dhe Kievit i cili, sipas tij, është një plan pesëpikësh i presidentit ukrainas Volodimir Zelenski, raporton MTI.

"Ata vendosën që Ukraina të pranohet në BE në vitin 2027”, shtoi Orbani.

“Plani i ri është një deklaratë e hapur e luftës ndaj Hungarisë. Ata tallen me vendimin e popullit hungarez dhe duan ta largojnë qeverinë hungareze nga rruga me çdo kusht. Ata duan që të vijë Tisa, sepse atëherë nuk do të ketë më veto, as rezistencë dhe as deklaratë. Ne ende mund t’i ndalojmë këtë prill. Fides është zgjedhja e sigurt për këtë”, shkruan Orbani në një postim në Fejsbuk.

Qeveria hungareze angazhohet për të bllokuar hyrjen e Ukrainës në BE, dhe Orban këtë e vendosi në fokus të fushatës së tij për zgjedhjet parlamentare në prill.

"Politiko" raportoi dje se Brukseli po harton një plan të paprecedentë që mund t'i lejojë Ukrainës anëtarësim të pjesshëm në bllok që vitin e ardhshëm. Plani, të cilin portali me qendër në Bruksel e raportoi bazuar në biseda me pesë diplomatë që përfaqësojnë vende të ndryshme, si dhe tre zyrtarë të BE-së dhe dy ukrainas, sugjeron se "ka disa mënyra se si BE mund ta anashkalojë Orbanin". E para është që Brukseli të presë zgjedhjet në Hungari dhe të shpresojë që Orban të humb ndaj rivalit të tij kryesor, Peter Magjar i cili do të kishte një qasje të ndryshme ndaj Ukrainës. Nëse Orbani fiton, liderët e BE-së mund të përpiqen të angazhojnë presidentin e SHBA-së Donald Tramp për të ndikuar te kryeministri hungarez që të heqë veton. Në rast se këto dy opsione dështojnë, BE mund të aktivizojë Nenin 7 të Marrëveshjes si një mjet të fundit që mund të bllokojë përpjekjen e Hungarisë për të penguar anëtarësimin e Ukrainës.

Neni 7 lejon suspendimin e disa të drejtave të një shteti anëtar, duke përfshirë të drejtën e votës në Këshill, nëse ai shtet shkel seriozisht dhe vazhdimisht parimet themelore të BE-së. Suspendimi përfshin gjithashtu të drejtën e shtetit për të vendosur nëse do të pranojë një vend të ri në anëtarësim, raportoi "Politiko".

Тагови

Остани поврзан