Orban: BE vendosi sanksione për ta “thyer” Rusinë, por në vend të kësaj e theu Evropën
- Kryeministri hungarez Viktor Orban e kritikoi vendimin e Bashkimit Evropian për të vendosur sanksione kundër Rusisë me qëllim “thyerjen e Rusisë”, duke theksuar se në vend të kësaj, pasojat e forta kanë goditur shtetet anëtare.
Budapest, 22 dhjetor 2025 (MIA) – Kryeministri hungarez Viktor Orban e kritikoi vendimin e Bashkimit Evropian për të vendosur sanksione kundër Rusisë me qëllim “thyerjen e Rusisë”, duke theksuar se në vend të kësaj, pasojat e forta kanë goditur shtetet anëtare.
“Bruksel premtoi se sanksionet do ta thyejnë Rusinë. Në vend të kësaj, ata e thyen Evropën. Çmimet e energjensave kanë shpërthyer, konkurrueshmëria ka rënë, kurse Evropa po mbetet prapa. Ky është çmimi i vendimeve të këqija. Nevojiten negociata, jo përshkallëzime”, shkroi Orban në X.
Ai theksoi se populli i Evropës meriton më mirë dhe ka nevojë për paqe.
“Kush dëshiron që lufta të vazhdojë? Politikanët që mendojnë se fuqia bërthamore fiton në fushën e betejës. Prodhuesit e armëve që përfitojnë nga konflikti i pafund. Bankierët që vënë bast se Rusia do të mposhtet ushtarakisht”, vlerësoi Orban.
Kryeministri hungarez deklaroi më parë se shlyerja e huasë prej 90 miliardë euro për Ukrainën është e lidhur me fitoren ushtarake, jo me rritjen ekonomike. Orban tha se për herë të parë në historinë e Bashkimit Evropian, 24 shtete anëtare kanë miratuar bashkërisht një hua ushtarake për një vend jashtë Unionit dhe se ky nuk është një detaj teknik, por një lëvizje cilësore.
"Logjika e huasë është e qartë. Kushdo që jep para hua, i dëshiron ato mbrapsht. Në këtë rast, shlyerja nuk lidhet me rritjen ekonomike apo stabilizimin, por me fitoren ushtarake. Që këto para të kthehen ndonjëherë, Rusia do të duhej të mposhtej", tha Orban.
Sipas tij, logjika e luftës së Brukselit po intensifikohet, përkatësisht nuk po ngadalësohet ose zbutet, por po institucionalizohet. Siç thotë ai, rreziku sot është më i madh se kurrë më parë, sepse vazhdimi i luftës tani është i lidhur me interesin financiar.
2Hungaria nuk po ecën qëllimisht në këtë rrugë të rrezikshme. Ne nuk marrim pjesë në iniciativa që i bëjnë pjesëmarrësit të interesuar për vazhdimin e luftës. Ne nuk po kërkojmë një rrugë të shpejtë drejt luftës, por një rrugëdalje drejt paqes. Ky nuk është izolacionizëm, por maturi strategjike. Kjo është në interes të Hungarisë dhe në planin afatgjatë edhe në interes të Evropës", tha kryeministri hungarez.
Orban shtoi se beson që 90 miliardë euro nuk do ta ndryshojnë realitetin.
"Investimi i parave në këtë konflikt nuk do t'i ndryshojë gjërat. Sa më gjatë të zgjasë, aq më i dobët bëhet pozicioni i Ukrainës. Është koha për negociata, është koha për paqe", theksoi Orban. ls/
Foto: Orban në Fejsbuk