• среда, 14 јануари 2026

Ofensiva diplomatike e Danimarkës në Uashington: Rasmusen në bisedime me Rubion dhe Vensin për Grenlandën

Ofensiva diplomatike e Danimarkës në Uashington: Rasmusen në bisedime me Rubion dhe Vensin për Grenlandën

Uashington, 14 janar 2026 (MIA) - Ministri danez i punëve të jashtme, Lars Loke Rasmusen, sot është për vizitë në Shtëpinë e Bardhë për të qetësuar tensionet rreth Grenlandës, pasi presidenti amerikan Donald Tramp sërish u kërcënua me marrjen e kontrollit ndaj këtij ishulli arktik me rëndësi strategjike.

Pasi u kthye në detyrë para një viti, Trampi disa herë e shqyrtoi marrjen e Grenlandës nga aleati i tij shumëvjeçar Danimarka. Qëllimet e tij u bënë ende më të dukshme pas operacionit ushtarak amerikan në Venezuelë në fillim të janarit.

Rasmusen kërkoi bisedime me sekretarin shtetëror Marko Rubio, ndërsa në takimin në Shtëpinë e Bardhë do të bashkangjitet edhe nënpresidenti Xhej Di Vens.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Grenlandës, Vivijan Motcfeld, do të bashkangjitet në biseda. Qeveria e saj, si dhe Danimarka, kundërshton ashpër planet e Trampit.

Trampi dje, i pyetur për qëndrimin e udhëheqësve të Grenlandës që duan të mbeten autonomë nën Danimarkën, u përgjigj shkurt: "Ky është problemi i tyre, i cili do të jetë një problem i madh për ta." Ai më parë kishte thënë se e donte Grenlandën "pavarësisht nëse e donin apo jo", duke shtuar se "nëse nuk e bëjmë në mënyrën e lehtë, do ta bëjmë në mënyrën e vështirë". Sipas tij, SHBA-ja kanë nevojë për ishullin për shkak të kërcënimeve të supozuara se Rusia ose Kina mund ta marrin atë.

Nga ana tjetër, kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nilsen, ishte i vendosur: "Grenlanda nuk dëshiron të jetë në pronësi, e qeverisur ose pjesë e SHBA-së". Kryeministrja daneze, Mete Frederiksen, e mbështeti këtë qëndrim, duke e quajtur presionin nga Uashingtoni "krejtësisht të papranueshëm". Danimarka hodhi poshtë pretendimet amerikane se nuk po e mbron ishullin, duke kujtuar investimin prej 12.4 miliardë eurosh për të forcuar praninë e saj ushtarake në Arktik. sa/

foto: arkivi

Остани поврзан