• четврток, 19 март 2026

OBSh po përgatitet për katastrofë të mundshme bërthamore në Lindjen e Mesme

OBSh po përgatitet për katastrofë të mundshme bërthamore në Lindjen e Mesme

 Gjenevë, 18 mars 2026 (MIA) - Nëpunësit  e OBSH-së po përgatiten për një katastrofë të mundshme bërthamore në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm të luftës midis ShBA-së, Izraelit dhe Iranit. Personeli i KB-së po monitoron nga afër pasojat e sulmeve të ShBA-së dhe Izraelit ndaj objekteve bërthamore iraniane dhe është gati t'i përgjigjet çdo kërcënimi bërthamor, deklaroi për Politiko Hanan Balki, drejtoreshë rajonale e OBSh-së për Mesdheun Lindor.

 "Skenari më i keq është një incident bërthamor dhe ky është shqetësimi ynë më i madh", tha Balki. "Pavarësisht se sa përgatitemi, asgjë nuk mund të parandalojë dëmin që do të ndikonte në rajon dhe në fund në të gjithë botën, me pasoja që do të zgjasnin për dekada".

 Ajo shpjegoi se personeli është i përgatitur për një incident bërthamor në kuptimin më të gjerë, që përfshin një sulm ndaj një objekti bërthamor ose përdorimin e armëve të tilla. "Po  mendojmë për këtë dhe shpresojmë vërtet që të mos ndodhë", shtoi ajo.

 Presidenti i ShBA-së, Donald Trampi, është zotuar të "eliminojë kërcënimin e afërt bërthamor që paraqet regjimi iranian", megjithëse nuk ka dhënë prova se Teherani po zhvillon armë bërthamore. Qershorin e kaluar, ShBA, në bashkëpunim me Izraelin, kryen sulme ndaj infrastrukturës bërthamore në të gjithë Iranin.

 Organizata e Energjisë Atomike e Iranit konfirmoi sulmet në vendet Fordo, Isfahan dhe Natanc. ShBA-të dhe Izraeli vazhduan të sulmonin objektet bërthamore edhe pas nisjes së një ofensive të re më 28 shkurt.

Edhe Izraeli edhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë objekte bërthamore brenda rrezes së raketave iraniane, por nuk ka pasur raportime se ato janë shënjestruar. Vetë Izraeli besohet gjithashtu se zotëron një arsenal të konsiderueshëm armësh bërthamore. Deri më sot, nuk janë regjistruar shenja të kontaminimit radioaktiv askund në rajon. Megjithatë, Balki shpjegoi se një incident bërthamor, i cili do t'i ekspozonte njerëzit ndaj niveleve të rrezikshme të rrezatimit, mund të shkaktojë dëmtime serioze të menjëhershme në mushkëri dhe lëkurë dhe të rrisë rrezikun e zhvillimit të kancerit dhe problemeve të shëndetit mendor.

 Aksidenti bërthamor i vitit 1986 në termocentralin sovjetik të Çernobilit lidhet zyrtarisht me vdekjen e rreth tridhjetë personave në muajt e parë, ndërsa më vonë kontribuoi në mijëra raste të kancerit të tiroides dhe nivele të larta ankthi midis popullsisë lokale.

 OBSh-ja ka regjistruar 46 sulme ndaj institucioneve shëndetësore dhe punonjësve në Iran dhe Liban që nga fillimi i luftës më 28 shkurt, duke vrarë 38 persona. Më 13 mars, Izraeli vrau 14 punonjës shëndetësorë në dy sulme në Liban. Balki i quajti sulmet "tragjike dhe të papranueshm", duke shtuar se punonjësit shëndetësorë duhet të mbrohen sipas ligjit ndërkombëtar "në çdo kohë".

 Sipas OBSh-së, deri në mesin e vitit 2025, 94 për qind e spitaleve të Gazës ishin dëmtuar ose shkatërruar. Ministritë e shëndetësisë të Iranit dhe Libanit raportuan përkatësisht 1.444 dhe 886 viktima civile, deri më 17 mars. Libani thotë se 107 fëmijë janë vrarë në bombardimet e fundit.

 Foto: EPA

 

Остани поврзан