Nënshkruhet Memorandum mirëkuptimi mes Kabinetit të zëvendëskryeministrit për Politika të Qeverisjes së Mirë dhe Universitetit "Nënë Tereza"
- Zëvendëskryeministri përgjegjës për Politikat e Qeverisjes së Mirë, Arben Fetai, dhe Rektori i Universitetit "Nënë Tereza", Prof. Dr. Bekim Fetai, sot nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi midis dy institucioneve.
Shkup, 25 dhjetor 2025 (MIA) - Zëvendëskryeministri përgjegjës për Politikat e Qeverisjes së Mirë, Arben Fetai, dhe Rektori i Universitetit "Nënë Tereza", Prof. Dr. Bekim Fetai, sot nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi midis dy institucioneve.
Ky memorandum, që u nënshkrua në kampusin e Universitetit "Nënë Tereza" në Shkup, shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit mes arsimit të lartë dhe institucioneve qeveritare, duke krijuar ura të drejtpërdrejta për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave praktike. Konkretisht, ai mundëson kryerjen e praktikës profesionale për studentët e Universitetit "Nënë Tereza" brenda strukturave të Kabinetit të zëvendëskryeministrit, si dhe përfshirjen aktive të stafit akademik dhe ekspertëve universitarë në grupet punuese, projektet dhe iniciativat që lidhen me politikat e qeverisjes së mirë, transparencën, llogaridhënien dhe digjitalizimin e proceseve administrative.

Në kontekstin e 9-vjetorit të themelimit të Universitetit "Nënë Tereza" – një institucion kyç në fushën e arsimit dhe promovimit të vlerave multikulturore në Maqedoninë e Veriut – ky bashkëpunim vjen si vazhdimësi e angazhimeve të shpallura më herët për mbështetjen e të rinjve dhe integrimin e dijes akademike në proceset vendimmarrëse shtetërore.
"Ky është një hap i rëndësishëm drejt afrimit të të rinjve me proceset vendimmarrëse dhe ofrimit të përvojës praktike që i përgatit ata për tregun e punës, duke kontribuar njëkohësisht në ndërtimin e një qeverisjeje më transparente dhe efikase", deklaroi Zëvendëskryeministri Arben Fetai pas nënshkrimit.
Rektori Prof. Dr. Bekim Fetai theksoi se "bashkëpunimi me institucionet qendrore të shtetit është prioritet i Universitetit "Nënë Tereza" për të rritur cilësinë e arsimit, për të zhvilluar projekte inovative dhe për të kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e shoqërisë sonë multietnike".
Ky memorandum pritet të hapë mundësi të reja për studentët dhe akademikët, duke promovuar vlerat e qeverisjes së mirë dhe duke forcuar lidhjen mes teorisë akademike dhe praktikës institucionale. sa/
Foto: Kabineti i zëvendëskryetarit të Qeverisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut për Politika të Qeverisjes së Mirë