Në Kuvend do të mbajnë mbledhje dy komisione
- Në Kuvend sot seancë do të mbajnë dy komisione – Komisioni për Politikë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme dhe Komisioni Ligjvënës-Juridik.
Shkup, 26 dhjetor 2025 (MIA) - Në Kuvend sot seancë do të mbajnë dy komisione – Komisioni për Politikë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme dhe Komisioni Ligjvënës-Juridik.
Para anëtarëve të Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme është Propozim-ligji për ratifikimin e Marrëveshjes mes Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Bullgarisë lidhur me përgatitjen, ndërtimin dhe funksionalizimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar, Propozim-ligji për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Francës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut në lexim të parë, dhe Propozim-ligji për ratifikimin e Protokollit shtesë 7 për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të Marrëveshjes për ndryshimin dhe aderimin në Marrëveshjen qendrore evropiane për tregti të lirë.
Marrëveshja mes Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Bullgarisë lidhur me përgatitjen, ndërtimin dhe funksionalizimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar u nënshkrua në Gjueshevë më 6 nëntor nga zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikoloski dhe homologu i tij bullgar, Grozdan Karaxhov. Me të rregullohen çështjet teknike, financiare, ligjore dhe organizative lidhur me përgatitjen, ndërtimin dhe funksionalizimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar në drejtimin Sofje–Gjueshevë – Kriva Pallankë–Shkup. Gjatësia e projektuar e tunelit është rreth 2,4 kilometra, prej të cilave 1,2 kilometra në territorin e vendit tonë.
Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes mes Qeverisë së Republikës së Francës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut u nënshkrua në Paris më 14 tetor të vitit 2022 nga ana e ministres së Mbrojtjes të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska dhe ministrit të Forcave të Armatosura të Republikës franceze, Sebastian Lakornu. Pas anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO më 27 mars të vitit 2020, u shfaq nevoja për të lidhur një marrëveshje ndërqeveritare në fushën e mbrojtjes për të forcuar dhe thelluar bashkëpunimin mes dy shteteve. Marrëveshja siguron një kornizë të përforcuar ligjore për bashkëpunim mes dy shteteve anëtare të Aleancës NATO. Marrëveshja rregullon bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Francës në fushat në vijim: politikë mbrojtëse, sfida politike-strategjike, organizimi dhe funksionimi i forcave, armatimi dhe pajisjet ushtarake, operacionet ndërkombëtare dhe humanitare, stërvitjet dhe trajnimet ushtarake.
Në rendin e ditës së Komisionit ligjvënës-juridik është Propozim ligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Bullgarisë lidhur me përgatitjen, ndërtimin dhe funksionalizimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar, Propozim-ligji për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes mes Qeverisë së Republikës së Francës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut – Lexim i parë, Propozim-ligji për ratifikimin e Protokollit shtesë 7 për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të Marrëveshjes për ndryshimin dhe aderimin në Marrëveshjen qendrore evropiane për tregti të lirë dhe Korrigjimin e ligjit për qasjen e faqeve të internetit dhe aplikacioneve mobile të institucioneve të sektorit publik (*) ("Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut" nr. 193/25). qa
Foto: Arkivi i MIA-s