Nikollovski: Trafostacioni i ri "TS Centralna" në Shkup sjell stabilitet për tërë rajonin qendror të qytetit
- Investimet në rrjetin energjetik sjellin stabilitet për qytetarët dhe kompanitë, ndërsa shtetit përparim ekonomik, tha zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikollovski në hapjen e trafostacionit të ri "TS Centralna" në Shkup, investim i kompanisë EVN.
Shkup, 27 mars 2026 (MIA) - Investimet në rrjetin energjetik sjellin stabilitet për qytetarët dhe kompanitë, ndërsa shtetit përparim ekonomik, tha zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikollovski në hapjen e trafostacionit të ri "TS Centralna" në Shkup, investim i kompanisë EVN.
Në fjalimin e tij, ai theksoi se ky projekt është shembull i angazhimit të përbashkët të Qeverisë dhe sektorit privat në realizimin e investimeve të mëdha dhe shtoi se Maqedonia në këtë moment është vend udhëheqës në rajon në fushën e tranzicionit energjetik.
"Jam vërtet i lumtur që mund të marrim pjesë në hapjen e këtij objekti të rëndësishëm dhe falënderoj ekipin e EVN-së për mbështetjen e tyre, sepse është vërtetë art të vendosësh një objekt të tillë në zemër të qytetit, duke marrë parasysh se ajo që është e dukshme është vetëm një pjesë, e ajo që nuk është e dukshme është infrastruktura nëntokësore dhe ishte vërtet një punë e përbashkët e Qeverisë dhe EVN-së. Kjo është një arritje arkitekturore dhe dua të përgëzoj të gjithë ata që ishin të përfshirë, resore të ndryshme të Qeverisë dhe kompaninë. Ky është shembull se si mund të realizojmë edhe projekte në zonën qendrore të qytetit që janë me interes për shtetin dhe shpresoj se ky objekt do të thotë stabilitet për tërë zonën qendrore të qytetit dhe për të gjithë ata që gravitojnë drejt saj", theksoi Nikolloski.
Ai po ashtu e theksoi rëndësinë e iniciativës së kryeministrit Mickoski për të integruar vendet e rajonit në aspektin e tërheqjes së investimeve të ardhshme në energjetikë.
"Ju e dini që politika e Qeverisë është të mbështesë tranzicionin energjetik, për momentin mendoj se jemi kampionë në tërë rajonin, ndërsa me iniciativën e prezantuar nga kryeministri Mickoski për integrimin e vendeve të rajonit dhe krijimin e një aleance të vetme dhe një qasje të unifikuar, mendoj se Maqedonia do të tregojë pozicionin e saj të liderit në vitet e ardhshme në fushën e energjisë dhe tranzicionit energjetik si nxitës kryesor të zhvillimit të vendit", theksoi zëvendëskryeministri Nikolloski. bsh/
Foto: Qeveria