Nikolloski: Qëllimi im është që Posta e Maqedonisë të rritet, e jo të dështojë – ose të gjithë njësoj do ta mbajnë barrën, ose do të marrim vendime të tjera
- Le të jemi të drejtë dhe të hapur – është shumë e lehtë të merret pjesa e tregut që është fitimprurëse dhe që përshtatet, ndërsa Posta e Maqedonisë të mbajë përgjegjësi shoqërore – letrën që unë sot do t’ia dërgoj kryetarit të komunës së Vevçanit ta dorëzojë në kushte kur askush tjetër nuk e bën këtë. Për këtë do të bisedojmë në periudhën e ardhshme, sepse gjendja nuk mund të mbetet e tillë – ose të gjithë njësoj do ta mbajmë barrën, ose do të marrim vendime të tjera. Qëllimi im është që Posta e Maqedonisë të rritet, e jo të deshtojë, porositi sot zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski.
Shkup, 24 dhjetor 2025 (MIA) - Le të jemi të drejtë dhe të hapur – është shumë e lehtë të merret pjesa e tregut që është fitimprurëse dhe që përshtatet, ndërsa Posta e Maqedonisë të mbajë përgjegjësi shoqërore – letrën që unë sot do t’ia dërgoj kryetarit të komunës së Vevçanit ta dorëzojë në kushte kur askush tjetër nuk e bën këtë. Për këtë do të bisedojmë në periudhën e ardhshme, sepse gjendja nuk mund të mbetet e tillë – ose të gjithë njësoj do ta mbajmë barrën, ose do të marrim vendime të tjera. Qëllimi im është që Posta e Maqedonisë të rritet, e jo të deshtojë, porositi sot zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski.
Në fjalimin e tij në takimin publik të organizuar nga Agjencia postare, Nikolloski rikujtoi se edhe kërkesa në Planin e Rritjes është që të përmirësohet efikasiteti i shërbimeve duke ulur kostot deri në 15 për qind, si dhe të përmirësohen treguesit e profitabilitetit po ashtu deri në 15 për qind, por kjo, theksoi ai, në kushtet aktuale te ne është e pamundur.
"Maqedonia e Veriut në vazhdimësi ndjek praktikën evropiane për rregullimin e tregut postar të shërbimeve, gjë që ndonjëherë na krijon dhimbje koke serioze, duke pasur parasysh se ne jemi një Qeveri që dëshiron të mbrojë kapitalin shtetëror dhe që ndërmarrjet shtetërore të përparojnë, për dallim nga qeveri të tjera që ishin të gatshme t’i shisnin ato. Disa nga paraardhësit tanë tani po përballen me procese gjyqësore pikërisht për shkak të vendimeve të tilla. Ne do të dëshironim që Posta e Maqedonisë të rritet dhe të përparojë. Këto direktiva, në kushte kur nuk jemi anëtare e BE-së, vërtet na krijojnë dhimbje koke në aspektin e funksionimit të Postës së Maqedonisë. Qëllimi im është që Posta e Maqedonisë të rritet, e jo të dështojë. Në fund, ndoshta nuk do ta realizojmë interesin shoqëror. Në këtë drejtim, sërish kthehemi te BE-ja – kërkesa në Planin e Rritjes është që të përmirësohet efikasiteti i shërbimeve me uljen e shpenzimeve deri në 15 për qind dhe të përmirësohen treguesit e profitabilitetit gjithashtu deri në 15 për qind, gjë që, në kushtet që i përshkrova më parë, mendoj se është e pamundur. Prandaj duhet t’i ndryshojmë kushtet", theksoi ministri.
Ai paralajmëroi gjithashtu se do të ketë ndryshime ligjore të cilët shkojnë pikërisht në këtë drejtim.
Njëkohësisht informoi se muajin e ardhshëm Posta e Maqedonisë nga Qeveria do të marrë 100 automjete, 90 furgonë më të vegjël dhe 10 furgonë të mëdhenj, me të cilët do të mund të përmirësohen kushtet e punës.
Ai theksoi gjithashtu se mënyra tradicionale e tregtisë po shuhet gradualisht, ndërsa në vend të saj tregtia elektronike po bëhet gjithnjë e më tërheqëse. Në këtë kontekst, Nikolloski nënvizoi se vendi do të duhet ta kapë hapin.
Sipas tij, gjërat nuk duhet të shihen në mënyrë rozë, por realisht, ashtu siç janë.
Në tregun e Maqedonisë aktualisht veprojnë 29 persona juridik për shërbime postare, prej të cilave 28 me autorizim të përgjithshëm për ofrimin e shërbimeve postare dhe SHA Posta e Maqedonisë si kompani shtetërore.
Në takimin publik mbajti fjalim edhe drejtoresha e Agjencisë së Postave, Marina Tonevska, e cila bëri një rekapitullim të aktiviteteve dhe u ndal te planet e ardhshme, ndërsa Danijela Spasiq Tomovska prezantoi analizën e tregut të shërbimeve postare për gjysmën e parë të vitit 2025. qa/
Foto: MIA