• понеделник, 16 март 2026

Mucunski - Hoxha: Gatishmëri për avancimin e marrëdhënieve bilaterale, Korridori 8 prioritet i përbashkët me rëndësi për të dy vendet

Mucunski - Hoxha: Gatishmëri për avancimin e marrëdhënieve bilaterale, Korridori 8 prioritet i përbashkët me rëndësi për të dy vendet

Shkup, 16 mars 2026 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme (MPJ TJ) Timço Mucunski sot në mëngjes ka realizuar bisedë telefonike me ministrin e Evropës dhe Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha, ku dy ministrat konfirmuan kënaqësinë e tyre të ndërsjellë për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe midis dy vendeve, duke theksuar gatishmërinë e tyre për t'i përmirësuar të njëjtat më tej.

Siç ka bërë të ditur MPJ TJ, në bisedë është diskutuar edhe perspektiva evropiane e dy vendeve, si dhe aktivitetet e përbashkëta në rrugën drejt Bashkimit Evropian (BE).

Njëherësh është theksuar edhe rëndësia e projektit të Korridorit 8 i cili paraqet një prioritet të përbashkët me rëndësi për të dy vendet, si dhe për avancimin e lidhjes dhe zhvillimit rajonal.

"Ministri Mucunski theksoi rëndësinë e pakicës kombëtare maqedonase në Shqipëri e cila paraqet një urë të rëndësishme miqësie dhe kontribuon më tej në thellimin e marrëdhënieve midis dy vendeve. Njëherësh ministrat diskutuan edhe për Liqenin e Ohrit, detyrimet që rrjedhin nga UNESKO, si dhe përgjegjësinë e përbashkët për mbrojtjen e saj dhe menaxhimin e qëndrueshëm të rajonit", theksohet në komunikatë.

Të dy ministrat shkëmbyen gjithashtu pikëpamje mbi çështjet aktuale të bashkëpunimit rajonal, duke theksuar rëndësinë e nxitjes së marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe kontributin e përbashkët të të dy vendeve për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Foto: MPJ TJ

Остани поврзан