• вторник, 24 март 2026

MPSDR për rastin e nënës dhe fëmijës nga Karposhi: Mbikëqyrje e jashtëzakonshme inspektuese në Qendrën për Punë Sociale – Shkup, pasojnë përgjegjësi për mosveprim të mundshëm

MPSDR për rastin e nënës dhe fëmijës nga Karposhi: Mbikëqyrje e jashtëzakonshme inspektuese në Qendrën për Punë Sociale – Shkup, pasojnë përgjegjësi për mosveprim të mundshëm

Shkup, 3 janar 2026 (MIA) - Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, sot njoftoi se pas rastit tragjik në të cilin nënа dhe fëmija i saj humbën jetën, po kryhet mbikëqyrje e jashtëzakonshme inspektuese në Qendrën për Punë Sociale – Shkup, dhe se pas përfundimit të tij, publiku do të njoftohet për gjetjet dhe masat e mëtejshme. Sipas informacioneve fillestare nga inspektorët, e ndjera së bashku me bashkëshortin janë evidentuar për herë të parë në Qendër në tetor të vitit të kaluar, ndërsa më 2 shkurt tek ata është pranuar një shkresë nga MPB-ja për sulm fizik të bashkëshortit ndaj bashkëshortes.

"Duke vepruar në përputhje me kompetencat ligjore dhe parimin e kujdesit të duhur, Ministria menjëherë zbatoi mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese në Qendrën për Punë Sociale – Shkup, me qëllim të përcaktimit të plotë dhe të paanshëm të gjendjes faktike dhe mënyrës së veprimit të institucionit. Sipas informacioneve fillestare nga inspektorët, e ndjera së bashku me bashkëshortin janë evidentuar për herë të parë në Qendër më 07.10.2025, me kërkesë të Gjykatës Themelore Civile për veprim sipas padisë së paraqitur për shkurorëzim. Sa i përket dhunës së raportuar, shkresë nga Ministria e Punëve të Brendshme është pranuar dhe protokolluar në Qendër më 02.02.2026, e cila i referohet një ngjarjeje të ndodhur më 19.12.2025, për kundërvajtje të kryer kundër rendit dhe qetësisë publike, përkatësisht sulm fizik nga bashkëshorti ndaj bashkëshortes", thuhet në njoftimin e Ministrisë. 

Mbikëqyrja inspektuese është në vijim, ndërsa pas përfundimit të saj Ministria do ta informojë në mënyrë transparente opinionin për gjetjet dhe masat e mëtejshme.

"Ministria do ta ndjekë me kujdes rastin dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet brenda kompetencave të saj për të siguruar përgjegjësi të plotë dhe forcimin e sistemit të mbrojtjes", thuhet më tej. 

Në njoftim thuhet se Ministria ka qëndrim të qartë dhe të prerë: çdo lëshim i mundshëm, mosveprim në kohë apo mosrespektim i detyrimeve ligjore duhet të përcaktohet plotësisht dhe përgjegjësia duhet të mbahet në përputhje me ligjin.

Mbrojtja e viktimave të dhunës dhe parandalimi i dhunës në familje janë prioritet i lartë dhe nuk do të lejojmë që dobësitë institucionale të mbeten të paadresuara.

Në lagjen Karposh dje pas orës 14, një nënë me fëmijën e saj, u hodhën nga ballkoni dhe të dyja ndërruan jetë. Prokuroria njoftoi sot se për rastin është mbajtur një person në stacionin policor. qa/

Foto: Arkivi

Остани поврзан