• четврток, 19 март 2026

Ministrat e Punëve të Jashtme të Gjermanisë dhe Francës vlerësuan se është koha për zgjerimin e BE-së

Ministrat e Punëve të Jashtme të Gjermanisë dhe Francës vlerësuan se është koha për zgjerimin e BE-së

Berlin, 18 mars 2026 (MIA) - Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Johan Vadeful dhe homologu i tij francez Zhan-Noel Baro vlerësuan në Berlin se është koha që Bashkimi Evropian të ndërmarrë hapa të rinj drejt zgjerimit, publikuan mediat gjermane.

Baro tha se, në vend që të vrapojë me kokën ulur nëpër rendin e ri botëror, Evropa ka nevojë për më shumë vetëbesim dhe theksoi se sot më shumë vende duan të bashkohen me BE-në se kurrë më parë.

Ai tha se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë pritur anëtarësimin në BE për një kohë të gjatë dhe shtoi se Mbretëria e Bashkuar po shqyrton gjithashtu kthimin në Union dhe se "do ta mirëpresë me krahë hapur".

"Dhe ndoshta një ditë edhe Kanadaja do të bashkohet", tha ministri francez në konferencën Evropa 2026, e cila po organizohet bashkërisht për herë të gjashtë nga disa gazeta të përditshme gjermane me ndikim.

"Ky është momenti për zgjerimin e Bashkimit Evropian", tha Vadeful, i cilin e plotësoi Baron duke përmendur Islandën dhe Norvegjinë si kandidate për anëtarësim, dhe shtoi se është gjithashtu i hapur për të pranuar Kanadanë.

Ministrat ranë dakord se kriza aktuale për shkak të luftës në Iran, si dhe ajo e mëparshmja për pretendimet e SHBA-së ndaj Grenlandës, kanë forcuar vullnetin politik në BE për të ndërmarrë hapa të rinj drejt integrimit.

"Ndonjëherë situata të veçanta krijojnë një ide të re se si duhet të duket Evropa", tha Vadeful. Ai aludoi në kërcënimet e presidentit amerikan Donald Tramp në lidhje me Arktikun, duke thënë: "Ne do ta mbrojmë sovranitetin tonë".

Në bisedën, e cila u organizua dje pasdite në një konferencë në Berlin, Vadeful dhe Baro e theksuan rëndësinë e marrëdhënieve funksionale midis Berlinit dhe Parisit, në mënyrë që Evropa, sipas Baro, të mund të bëhet një "superfuqi e tretë" në një botë ku ka konkurrencë sistemike midis SHBA-së dhe Kinës.

Konferenca dy-ditore "Evropa 2026", e organizuar nga gazetat ditore "Cajt", "Tageshpigel", "Handelsblat" dhe "Virtshaftsvohe", u hap dje.

Në të morën pjesë më shumë se 60 zyrtarë të lartë nga politika dhe biznesi, përfshirë kryetaren e Parlamentit Evropian, Roberta Mecola, Komisionerët Evropianë Maria Luiza Albukerke, Andrius Kubilius, Magnus Bruner, Oliver Valberg dhe të tjerë. ls/

Foto: EPA

 

Остани поврзан