• недела, 19 април 2026

Ministrat e Energjetikës të BE-së do të mbajnë nesër një takim të jashtëzakonshëm

Ministrat e Energjetikës të BE-së do të mbajnë nesër një takim të jashtëzakonshëm

Bruksel, 30 mars 2026 (MIA) - Ministrat e Energjetikës të BE-së nesër do të mbajnë një takim të jashtëzakonshëm. Qëllimi i takimit është të shqyrtohen mundësitë për një qasje të koordinuar në kontekst të ngjarjeve në Lindjen e Mesme, thuhet në njoftimin e Këshillit të BE-së.

Takimi do të mbahet onlajn dhe nuk pritet të miratohen vendime të reja.

Javën e kaluar, ministrat e Financave të vendeve të eurozonës u takuan gjithashtu onlajn. Pas takimit, komisioneri europian për çështje ekonomike, Valdis Dombrovskis, theksoi se ngjarjet në Lindjen e Mesme mund të çojnë në inflacion më të lartë dhe rritje më të ulët ekonomike në BE. Ai iu referua vlerësimeve preliminare, sipas të cilave këtë vit, rritja ekonomike në eurozonë mund të jetë 0,4 për qind më e ulët se parashikimet e Komisionit Europian në parashikimin ekonomik të vjeshtës,ndërsa inflacioni mund të rritet për një pikë përqindjeje mbi pritshmëritë. Nëse sfidat e sotme vazhdojnë në afat të gjatë, mund të ketë pasoja edhe më të mëdha, me ulje të rritjes për 0,6 për qind këtë dhe vitin e ardhshëm, sqaroi ai.

"Nuk përjashtoj pasoja shtesë, kjo nuk është një parashikim, por një vlerësim i pasojave të mundshme" shpjegoi Dombrovskis.

Në fund të javës së kaluar, Komisioni Europian prezantoi një dokument pune, në të cilin njoftoi se BE-ja po përballet me mundësinë e ndërprerjeve në furnizimin me energji dhe vuri në dukje se transporti mbetet shumë i varur nga importi i naftës dhe produkteve të naftës. Komisioni bëri thirrje për përshpejtimin e tranzicionit drejt një ekonomie të elektrifikuar. qa/

Foto: Arkivi

 

Остани поврзан