• четврток, 09 април 2026

Mickoski për financat: Nuk ka rritje të deficitit buxhetor, për dy vite nga një shtet i gjunjëzuar u bëmë faktor stabiliteti

Mickoski për financat: Nuk ka rritje të deficitit buxhetor, për dy vite nga një shtet i gjunjëzuar u bëmë faktor stabiliteti

Shkup, 5 prill 2026 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se pavarësisht masave që po ndërmerren për të zbutur pasojat e krizës dhe që janë në favor të qytetarëve, por që mund të zvogëlojnë të hyrat në Buxhet, Qeveria hëpërhë nuk planifikon të rrisë deficitin buxhetor. Nëse në të ardhmen kjo është e nevojshme, thotë kryeministri, kemi opsione ku t'i sigurojmë ato para dhe në kushte të favorshme.

"Deficiti buxhetor për momentin është parashikuar në 3.5 për qind. Nëse do ta zgjerojmë do të varet nga mënyra se si do të zhvillohet kjo krizë dhe si do të jenë të ardhurat në Buxhet. Tani nga kjo perspektivë, nëse më pyetni mua, nuk planifikojmë, sepse në tremujorin e parë të këtij viti të ardhurat janë brenda kornizës së planifikuar. Por nuk e di se si do të jetë tani në tremujorin e dytë, sepse duhet të shohim se si do të zhvillohet kriza. Supozojmë, po krijojmë skenarë dhe bazuar në ato skenarë do të veprojmë", ka thënë Mickoski në konferencën e sotme për shtyp në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve.

Nëse ka nevojë për të rritur deficitin buxhetor, thekson kryeministri, Qeveria do ta thotë nëse do të jetë një rritje prej 4 apo 4.5 për qind.

"Ne, si Qeveri filluam me konsolidimin e deficitit buxhetor prej mbi 4.5 për qind dhe tani kemi arritur në 3.5 për qind të BPV-së. Çfarë do të ndodhë më pas e përsëris, nuk e di. Varet nga situata e përgjithshme në nivel global. Ndoshta do të duhet të rritet deficiti buxhetor me 0.2 ose 0.3 për qind dhe ndoshta nuk do të ketë nevojë. Nëse kostot e interesit hiqen nga deficiti buxhetor në vendin tonë, atëherë kemi një situatë vërtet të qëndrueshme dhe kjo së shpejti do të jetë, supozoj, një lajm interesant për mediat. Ndoshta mund të jemi i vetmi vend në rajon me perspektiva të qëndrueshme ekonomike, për dallim nga ekonomitë e tjera për të cilat disa agjenci tashmë parashikojnë një trend negativ", ka thënë Mickoski.

Përsëriti se në këtë moment nuk planifikohet zgjerimi i deficitit buxhetor me huazime të reja të paplanifikuara, por siç tha, nëse ka nevojë për këtë, “atëherë do të sillet zgjidhja më e mire”.

"Do të merret vendim që do të jetë më i miri, siç ka qenë deri më tani. Nuk do të marrim vendim që do të jetë i gabuar, kështu që mund të jeni absolutisht të sigurt se po shqyrtohen të gjitha opsionet", ka thënë Mickoski.

Ai nuk e përjashtoi mundësinë, nëse është e nevojshme, huamarrja të jetë në bankat vendase, por edhe ato ndërkombëtare. Opsioni sipas tij janë kreditë nga një vend në tjetrin.

"Si opsion janë edhe bankat ndërkombëtare. Opsion janë edhe kreditë e tjera. Çdo gjë që do të na ofrojë kushtet më të mira është një opsion. Nëse do të jetë kjo apo ajo, nuk mund ta them. Portofoli është i përzier, do të varet nga kushtet e tregut dhe sigurisht që do të marrim ato më të lira. Nëse deficiti buxhetor zgjerohet, atëherë do të kërkojmë para për ta mbuluar atë. Tani, besoni ose jo, kjo qeveri për këto dy vite ka arrit të konsolidojë gjërat, është shndërruar në një faktor stabiliteti dhe kështu do të vazhdojmë të sillemi si qeveri", ka thënë Mickoski.

Foto: MIA

 

 

 

 

 

 

 

 

Остани поврзан